Parashikoi me saktësi fituesit e zgjedhjeve presidenciale amerikane që nga viti 1984: Tani tregon edhe fituesin e vitit 2020

06.08.2020 16:08:44

Profesori i famshëm amerikan që ka parashikuar saktësisht fituesit e zgjedhjeve presidenciale që nga viti 1984, ka nxjerrë verdiktin e tij për vitin 2020: Joe Biden do ta mposhtë presidentin, Donald Trump.

Profesori i Universitetit Amerikan, Allan Lichtman përdor një sistem që i jep rezultatin se kush do të fitojë Shtëpinë e Bardhë. Në vitin 2016, Lichtman ishte një nga ata të paktët parashikues që thanë se Trumpi do të ishte presidenti i ardhshëm – gjithashtu parashikoi se Trumpit do t’i ngritej “impeachment”. Tani parashikon një fitore të Bidenit në nëntor, shkruan thenewyorktimes.

“Sistemi parashikon humbjen e Trumpit”, thotë Lichtman. Ai garën për zgjedhjet e reja presidenciale e sheh të ngushtë dhe vëren se ka faktorë të jashtëzakonshëm që mund të ndryshojnë ende rezultatin. 13 pikat kyç në sistemin e tij përfshijnë faktorë të tillë si shifrat ekonomike afatgjata dhe afatshkurtra, trazirat sociale dhe skandalet, si dhe karizma personale e kandidatëve.

Sipas sistemit të Lichtmanit, shtatë nga 13 pikat kyçe favorizojnë Bidenin dhe gjashtë prej tyre, Trumpin, duke i dhënë kandidatit demokrat përparësi të vogël, transmeton Telegrafi.

Lichtman tregon pikat kyçe të Trumpit. Ai është president në detyrë, ai nuk përballet me ndonjë sfidë serioze të palës së tretë. Ai ka bërë ndryshime të mëdha të politikave dhe ka shmangur çdo dështim të rëndësishëm ushtarak jashtë vendit dhe po kandidon kundër një njeriu, të cilin Lichtman e konsideron një “sfidues jokarizmatik”.

Por Lichtman e sheh Bidenin të ketë avantazh, veçanërisht në dritën e pandemisë së coronavirusit dhe lëvizjes kombëtare të protestave kundër brutalitetit të policisë dhe racizmit sistematik. Trazirat shoqërore, kolapsi aktual ekonomik dhe humbja e luftës me pandeminë shkon në dobi të Bidenit, thotë Lichtman.

Vala e vazhdueshme e skandaleve gjatë presidencës së Trumpit – përfshirë impeachmentin – gjithashtu e bëjnë më të mundshme mbizotërimin e Bidenit në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Një tjetër avantazh për Bidenin, në analizën e tij, është se demokratët fituan në zgjedhjet e vitit 2018, kur fituan sërish Dhomën e Përfaqësuesve. Dhe Lichtman nuk e llogaritë Trumpin si president “karizmatik”, duke argumentuar se tërheq një bazë të ngushtë votuesve – gjë që i jep një tjetër pikë Bidenit.

Lichtman thotë se ka forca të tjera që mund të ndikojnë në zgjedhjet e 46-ta presidenciale të SHBA-ve, konkretisht votuesit e pavendosur dhe ndërhyrja ruse në zgjedhje.

Ndryshe, zgjedhjet për presidentin e ri të SHBA-ve do të mbahen më 3 nëntor të këtij viti.