Parma pranë rikthimit në Serie A, për Breshian shënon Ndoj

01.05.2018 18:57:35

3 vite pas falimentit dhe zbritjes në Serinë D, Parma është shumë pranë rikthimit në elitën e futbollit italian. Skuadra emiliane mposhti 2-0 Ternanën në stadiumin Enio Tardini, sfidë e vlefshme për javën e 39-të Serisë B dhe duke rimarrë vendin e dytë, tashmë me një pikë më shumë se Frosinone që nga ana tjetër triumfoi 2-1 me përmbysje vetëm në fund ndaj Brescias, por Parma ka edhe 2 pikë më shumë se Palermo që shikohej si favorite për vendin e 2-të.

Ndaj Ternanës së vendit të parafundit për skuadrën e Roberto D’aversas vendosën golat e Ceravolos dhe Di Gaudios në pjesën e parë.

Arriti të gjente golin e parë për këtë sezon mesfushori i kombëtares Shpresa Emanuele Ndoj, por finalizimi i futbollistit shqiptar që i dha avantazhin provizor 1-0 nuk i mjaftoi Brescias që u mposht me shifrat 1-2 nga Frosinone.

Në sfidat e tjera Empoli me Frederik Veselin në fushë barazoi 0-0 ndaj Carpit, por ky rezultat pak rëndësi kishte për skuadrën toskane që ka siguruar matematikisht jo vetëm rikthimin në Serinë A por edhe vendin e parë në këtë edicion të Serie B.

U aktivizua në minutën e 64-ët Naser Aliji në barazimin 1-1 të Entellës ndaj Ascolit ndërsa ngrohu stolin edhe në këtë sfidë Azdren Llullaku. Titullar ndërkohë Armando Vajushi në humbjen 0-2 që pësoi Avellino në shtëpi përballë Citadellas.