Partia e Merkelit shënon një fitore shumë të rëndësishme në zgjedhje

14.05.2017 19:42:17

Kristiandemokratët e kancelares gjermane, Angela Merkel, kanë mposhtur rivalët e tyre socialdemokratë në një palë zgjedhje të rëndësishme të mbajtura sot në një land të Gjermanisë, tregojnë rezultatet e ‘exit poll’-eve.

CDU pritet të fitojë 34.5 për qind të votave në Renin Verior – Vestfali, që është landi më i banuar i Gjermanisë, tregojnë rezultatet e anketave të bëra me votues, pas votimit.

 

Ndërkaq, SPD parashihet të marrë 30.5 për qind të votave.

Socialdemokratët e kanë udhëhequr Renin Verior – Vestfalinë gjatë pjesës më të madhe të periudhës së pasluftës.

Zgjedhjet në këtë land ishin konsideruar si test për Merkelin, e cila në zgjedhjet e përgjithshme në shtator synon të fitojë përsëri për t’u rizgjedhur kancelare.

Votuesit kanë zgjedhur kandidatë për legjislaturën shtetërore, e cila tani mund të ndryshojë nga koalicioni aktual ndërmjet SPD’së dhe të gjelbërve.