Partia UNITETI: Shqiptarët në Maqedoni rrezikojnë humbje të shumëfishta në zgjedhje

30.07.2016 14:33:37

Kryesia Qendrore e partisë UNITETI ka mbajtur mbledhje, ku është diskutuar rreth listës zgjedhore të dyshimtë dhe asaj të përgjithshme, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Në këtë mbledhje, UNITETI ka vlerësuar se vendimi aktual për pastrimin e listës zgjedhore, ndryshimet në Kodin zgjedhor, mënyra e zgjedhjeve lokale në të ardhmen dhe e zgjedhjes së deputetëve nga diaspora, janë në dëm të madh për shqiptarët për shumë arsye.

UNITETI vlerëson se kjo nuk mund të bëhet pa regjistrim të popullatës, i cili është kusht për të pasur një Listë zgjedhore valide.

“Vendimi që mbi 100.000 votues shqiptarë në mërgatë të votojnë vetëm për 3 deputetë është një padrejtësi dhe zhvlerësim i votës, në kushte kur ata nuk mund të vijnë të votojnë në vendin e tyre pa u paraqitur paraprakisht në KSHZ. Qytetarëve u vështirësohet kryerja e këtij procesi për shkak të mungesës nga puna dhe shpenzimeve të pa nevojshme”.

UNITETI konsideron se pastrim i listave nga votuesit e rrejshëm paraqet pastrim nga votuesit shqiptarë, që i hap rrugën humbjes së shumëfishtë të shqiptarëve, edhe në numrin e deputetëve, edhe në komunat që deri tani i kanë fituar.