Partia së Drejtësisë i jep përkahje demarkacionit

24.08.2016 23:29:05

Kryesia e Partisë së Drejtësisë i ka dhënë mbështetje Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës në përpjekjet për të përmbushur obligimet e tyre kushtetuese dhe ligjore përkitazi me definimin e kufijve ndërkombëtar të shtetit dhe arritjen sa më të shpejtë të statusit të liberalizimit të vizave për qytetarët e vendit.

Një komunikatë të lëshuar nga mbledhja e Kryesisë së këtij subjekti politik, thuhet se “Partia e Drejtësisë e vlerëson momentin e tanishëm të debatit publik dhe institucional përkitazi me demarkacionin e kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi si të rënduar me ndjenja dhe shqetësime të skajshme që dukshëm kufizojnë vlerësimin racional të çështjes. Duke e pasur parasyshë këtë realitet socio-politik, PD fton gjithë spektrin politik të vendit, që në këtë periudhë të ndasive të rrezikshme që po e kërcënojnë çdo ditë e më shumë edhe sigurinë e qytetarëve dhe të ardhmen e vendit, të qëndrojë i bashkuar duke tejkaluar interesat e ngushta partiake dhe duke kontribuar fuqimisht për realizimin e interesave madhore të shtetë-ndërtimit dhe integrimeve euro-perëndimore të vendit”.

“Pas diskutimeve përmbajtësore Kryesia e PD-së vendosi të mbështes miratimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi në Kuvendin e Kosovës duke vlerësuar se kjo Marrëveshje hap rrugën për realizimin e interesave strategjike kombëtare dhe shtetërore të qytetarëve të Kosovës në partneritet të qëndrueshëm dhe të besueshëm me SHBA dhe partnerët e tjerë strategjik të Kosovës në Bashkësin Europiane dhe në NATO” thuhet në kumtesë.

“Përcaktimi i kufirit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës me Malin e Zi paraqet obligim ndërkombëtar të shtetit tonë si kontribut për paqen dhe stabilitetin në rajon si dhe hap të domosdoshëm në proceset e integrimeve europerëndimore të vendit që në instancën e fundit nënkuptojnë bashkimin e të gjitha trojeve Shqiptare në Bashkimin Europian dhe në NATO. Është kjo rruga më e sigurt në aktualitetin gjeopolitik për realizimin e plotë të aspiratave kombëtare dhe shtetërore, përfshirë adresimin e çështjeve kontestuese në të ardhmen nëpërmjet arbitrazhit ndërkombëtar, në pajtim me dispozitat e projektligjit”.

“Me këtë rast, Kryesia e Partisë së Drejtësisë thekson domosdoshmërin e sigurimit të garancioneve të plota ligjore për realizimin e të gjitha të drejtave pronësore dhe të tjera të qytetarëve të Republikës së Kosovës të prekur nga demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, në pajtim me parimet ndërkombëtare të fqinjësisë së mirë”, thuhet në kumtesë.