Pas 15 vjetësh përsëri kërkohet zbardhja e vrasjes së Smajl Hajdarajt

17.01.2017 13:10:33

Në 15-vjetorin e vrasjes është përkujtuar deputeti Smajl Hajdaraj. Me këtë rast, ministri i FSK-së, Haki Demolli, tha se ndjehet i nderuar që është zgjedhur të flasë në Akademinë Përkujtimore kushtuar patriotit dhe njëherësh aktivistit të LDK-së, Smajl Hajdaraj.

Ai tha se në muajin janar u krye vrasja sa dinake aq edhe mizore e deputetit dhe komandantit të UÇK-së Smajl Hajdaraj.

Demolli tha se Hajdaraj ishte një atdhetar i cili nuk kurseu veten deri në ditën e fundit të jetës, dhe se humbja e tij nuk është humbje vetëm për familjen e tij, por edhe për të gjithë Kosovën.

Ndërsa, Valdet Hyseni, përfaqësues i Brigadës ‘136 Rugova’, tha se Smajl Hajdaraj u vra në një atentat politik për të vetmen arsye se ai ishte luftëtar i lirisë. Ai ka kërkuar që edhe pas 15 vjetësh të  zbardhet vrasja e tij dhe e të gjithë atyre që u vranë padrejtësisht.

Blerim Hajdaraj, djali i Smajl Hajdarajt, tha se që 15 vite ka kërkuar drejtësi për të atin, por se askush nuk është marrë me këtë çështje.

Smajl Hajdaraj ishte deputet i Kuvendit të Kosovës dhe komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rugovë. Ai u vra në një atentat më 17 janar 2002.