Pas avarisë, flet drejtori i Spitalit të Vushtrrisë

03.02.2017 16:01:30

Më 6 dhjetor 2016 në mënyrë solemne ishte bërë përurimi i renovimit të Spitalit të Përgjithshëm “Sheikh Zayed” në Vushtrri, ku të pranishëm kishin qenë donatori nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Mirëpo brenda dy muajsh sot ishte hera e dytë që shkaktohet avari të mëdha në spitalin e Vushtrrisë, shkaku i punimeve jocilësore.

Sot në mëngjes në repartin e kirurgjisë të këtij spitali ka rënë tavani, gjë që ka shkaktuar rrëmujë të madhe në korridor, por fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar.

Veriu.info ka kontaktuar me drejtorin e spitalit, Hajrullah Saraçi, i cili ka thënë se zyrtarët e spitalit nuk kanë marrë pjesë në pranimin teknik pas përfundimit të renovimit, gjë të cilin sipas tij e ka donatori nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Ajo rregullohet brenda gjysmë ore. Kush të ka thanë bre ty që rrezikohen pacientët, a po më dëgjon mua si drejtor apo i dëgjon thashethemet e hallkut. Ato janë paleta, e ka lëshu një tel kanë ra, nuk është kurrfarë katastrofe ajo, hajdeni për një orë e verifikoni qysh është. Nuk është problemi jonë pranimi teknik, sepse e kanë bërë ata Emirateve të Bashkuara Arabe, mirë e keq ata e kanë bërë vet. Na nuk kemi bërë kurrfarë pranimi teknik, ata e kanë bërë pranimin teknik. Janë disa defekte, por spitali është në garancion deri më 30 maj dhe i rinovojnë prapë, nuk janë defekte të mëdha këto. Nuk bënë tana të zezat me i thanë për donatorin, kur ai ka investu shtatë milionë euro. Nëse kanë keqpërdorë, i kanë keqpërdorë ata të Emirateve, sepse ata e kanë bërë pranimin teknik. Shqiptarët nuk kanë mundur ta keqpërdorin. Këtë po ta japi qartë, ju çka të njollosni për punime të këqija, i njollosni direkt ata, na nuk kem pas kurrfarë qasje në pranim teknik”, ka thënë për Veriu.info drejtori Saraçi.

Kujtojmë se në javën e dytë të muajit janar, kishte pasur një avari të ngjashme në Spitalin e Vushtrrisë për të cilën alarmin e kishte ngritur komuna e Vushtrrisë.

“Vetëm një fat i madh sot ka shpëtuar personelin e QKMF-së, e cila në kuadër të këtij spitali kryen shërbimet e emergjencës. Pas rënies së plafonit, kanë pëlcitur gypat e ngrohjes, është shkaktuar një kontakt edhe me rrjetin elektrik, për çka është dashur të intervenojë Njësia e Zjarrfikësve,” kishte thënë komuna e Vushtrrisë përmes një njoftimi.