Pas detektorëve, Izraeli vendos edhe kamera në xhami

23.07.2017 19:49:34

Izraeli ka vendosur kamera sigurie në hyrje të vendit të shenjtë, në Jerusalem, ndërsa tensionet në lidhje me masat e sigurisë mbesin të larta.

Detektorë metali u instaluan pasi dy policë izraelitë u vranë gjë që ndezi protestat e palestinezëve.

Tensionet mbi vendin e shenjtë, të njohur si Haram al Sharif për myslimanët dhe Mali Tempull për hebrenjtë, janë rritur ditët e fundit me viktima të reja. Tre palestinezë u vranë në përleshje me forcat izraelite të sigurisë të premten, ndërsa me mijëra vetë protestuan në Jerusalemin lindor dhe Bregun e okupuar perëndimor.

Më pas, tre civilë izraelitë u therën për vdekje në një koloni hebreje afër Ramallahut, në Bregun perëndimor, nga një agresor palestinez që hyri në një shtëpi.

Të paktën një palestinez vdiq po ashtu gjatë përleshjeve të së shtunës.

Vendi i shenjtë në qytetin e vjetër të Jerusalemit, ka xhaminë al-Aqsa.

Palestinezët kanë kundërshtuar ashpër vendosjen e detektorëve të metaleve, duke e konsideruar lëvizjen e izraelit si një përpjekje për të marrë më shumë kontroll mbi vendet e shenjta.

Shumë palestinezë janë falur në rrugë, në vend që të kalonin përmes këtyre detektorëve.

Ndërkohë, ende nuk ka një reagim nga zyrtarët palestinezë për instalimin e kamerave të sigurisë në xhamia. Më herët u tha se ato do të zëvendësonin detektorët, por burimet izraelite të sigurisë thanë se kjo nuk ishte e vërtetë.