Pas dy rasteve me koronavirus në Gjilan, Haziri: Apeloj që të vetizoloheni

22.03.2020 10:32:58

Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri pas dy rasteve me koronavirus në Gjilan, ka apeluar që të vetizoloheni dhe të mos qarkulloni pa nevojë, sikurse edhe t’i zbatoni të gjitha rekomandimet e institucioneve të Republikës, në mënyrë që të kujdesemi për vete, familjen, lagjen dhe komunën.

Haziri ka shkruar se nga 66 mostrat e marra sot nga Gjilani, fatkeqësisht dy raste rezultuan pozitivë me #Covid19.

“Dy rastet janë të ndara dhe nuk kanë historik të përbashkët, përderisa po shikohet historiku i kontakteve të tyre. Njëri është nga Zhegra, ndërsa tjetri me origjinë nga Vrapçiqi, por që jeton në Ferizaj dhe sipas të dhënave, ka ardhur para disa ditësh nga Gjermania. Nga informatat e para, e infektuara ka pasur kontakt me familjen në Vrapçiq gjatë vizitës. Po bëhet historiku i kontakteve dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike do t’i ketë informatat në detaje. P as këtyre dy rasteve, apeloj që të vetizoloheni dhe të mos qarkulloni pa nevojë, sikurse edhe t’i zbatoni të gjitha rekomandimet e institucioneve të Republikës, që të kujdesemi për vete, për familjen, për lagjen, për komunën. Në takimin me kryetarët e Anamoravës, jemi dakorduar se në momentin që paraqitet ndonjë rast në këtë pjesë, t’i kërkojmë qeverisë së Kosovës që ta karantinojë komplet Anamoravën sepse jemi në trekëndëshin kufitar me Maqedoninë Veriore dhe Serbinë”, ka shkruar ai.

Ai ka lutur të gjithë qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi, duke shtuar se për gjithçka do të jenë të njoftuar me kohë.

“Komiteti për mbrojtje dhe shpëtim për parandalimin e Covid-19 dhe Qendra Operative Emergjente, 24 orë janë duke e menaxhuar situatën. Rrini pa brenga”, ka shkruar ai.