Pas formimit të Ushtrisë së Kosovës, reagon Lista Serbe: Do ta dërgojmë...

Pas formimit të Ushtrisë së Kosovës, reagon Lista Serbe: Do ta dërgojmë në Kushtetuese

14.12.2018 15:42:02

Anëtarë të Listës Serbe janë mbledhur sot në një konferencë të jashtëzakonshme në Mitrovicë pasi që Kuvendi i Kosovës votoi për transformimin e FSK-së, ndërsa theksuan se do të dërgojnë ankesë në Gjykatën Kushtetuese sepse sipas tyre janë shkelur rregullat të cilat i kanë krijuar vet shqiptarët.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq tha se në Prishtinë sot në formën më të vrazhdë është sulmuar paqja dhe siguria në këto hapësira.

“Me formimin e të ashtuquajturës Ushtri e Kosovës është shkelur po ashtu në formën më të vrazhdë rezoluta e Kombeve të Bashkuara, e cila nënkupton se formacioni i vetëm i armatosur këtu është KFOR-i. Në emër të shtabit të krizës dhe në emër të katër komunave veriore ftoj të gjithë serbët që të përmbahen pavarësisht ku jetojnë në jug apo veri të Ibrit. I ftoj të mos bien pre e provokimeve sepse provokime do të ketë, ndërsa qëllimi ynë është që ta ruajmë paqen në këto hapësira”, tha Rakiq.

Ndërsa, deputeti Igor Simiq tha se nuk kanë marr pjesë sot në seancë, duke shfaqur kështu kundërshtimin për thyerje të të gjitha akteve të cilat i kanë marr vet shqiptarët.

“Andaj nuk kemi dashur që me prezencën tonë t’i japim legjitimitet këtij akti. Dua të potencoj se përveç të thyerjes më brutale të të gjitha akteve në fuqi me këtë është thyer secili akt i drejtësisë që është miratuar edhe nga vet shqiptarët. Ajo që është më e tmerrshme në këtë moment nuk kemi asnjë koment të përfaqësuesve ndërkombëtarë në lidhje me këto shkelje të këtyre rregullave. Që në përkthim do të thotë për deputetët serbë, por edhe të gjithë popullin serb se drejtësia që do të mbronte pozitën e serbëve nuk do të thotë se vlejnë nëse kështu vendosin përfaqësuesit e shumicës shqiptare. Kjo është më e rrezikshme dhe më e tmerrshme”, tha Simiq.

Nga kjo konferencë u tha se përfaqësuesit e Listës Serbe ditët në vijim do të dërgojnë  ankesë në Gjykatën Kushtetuese sepse sipas tyre  janë shkelur rregullat të cilat i kanë krijuar vet shqiptarët.