Pas gjashtë ditësh gjendet i zhdukuri nga Malisheva

29.06.2018 14:29:39

Pas gjashtë ditësh kërkimi, në të cilin u përfshi edhe FSK-ja, është gjetur i gjallë Muharrem Berisha, 57 vjeç nga Gurabardhi i Malishevës. Lajmin për këtë e dha Komuna e Malishevës.

Berisha, që vuan nga demenca, kishte dalë nga shtëpia gjashtë ditë më parë dhe nuk ishte kthyer. Pas alarmit nga familja, për gjetjen e tij ishin angazhuar bashkëfshatarë dhe të tjerë.

Sipas informacioneve nga Malisheva, ai është gjetur i gjallë, por me gjendje të rëndë shëndetësore, dhe është dërguar menjëherë për në QKUK.

Muharremi kishte dalur nga shtëpia për të marrë dru në mal. Por për disa ditë familjarët kishin gjetur vetëm karrocën me të cilin ai ishte nisur në mal.