PAS KËRKESËS PËR SHKARKIM, KSHC U PËRGJIGJET REKTORËVE

22.01.2019 16:10:40

Pas kërkesës së rektorëve të gjashtë universiteteve për shkakrimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë është përgjigjur ky i fundit.

KSHC në një reagim ka thënë se legjitimitetin e ka nga Kuvendi dhe vetëm nga ai mund ti merret.

Sa i përket vendimit për pezullim të 42 programeve studimore, ky këshill ka thënë se i merr vendimet në bazë të kornizës ligjore dhe se pa aplikuar Standardet dhe Udhëzuesit për Sigurimin e Cilësisë në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë nuk mund të bëhet anëtarësimi në ENQA dhe EQAR.

“KSHC vepron dhe funksionon në bazë të kornizës ligjore, më specifikisht: Ligjit Nr. 04/L-037 Për Arsimin e Lartë dhe Udhëzimit Administrativ për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë në Republikën e Kosovës: Nr. 15/2018, datë: 28.09.2018. KSHC merr vendime konform dispozitave ligjore në fuqi dhe në përputhshmëri me Standardet dhe Udhëzuesit për Sigurimin e Cilësisë në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë. Vlenë të ritheksojmë se aplikimi i këtyre standardeve është parakusht për anëtarësi të Agjencisë së Akredimit (AKA) të Republikës së Kosovës në European Association for Quality Assurance -ENQA dhe rikthim në European Quality Assurance Register – EQAR. ENQA ofron ekspertizë Evropiane në akreditimin e programeve në vendin tonë. EQAR njeh diplomat e marra në arsimin e lartë në Kosovë. Nëse Kosova nuk është anëtare, atëherë procesi i akreditimit vështirësohet dhe studentët do të ballafaqohen me vështirësi në regjistrim dhe/apo transferim në programe të studimit jashtë vendit. Për më shumë, mosnjohja e diplomave rezulton në përjashtim në punësim dhe mobilitet në zonën e arsimit të lartë në Evropë”, thuhet në reagim.

Këshilli ka ofruar disa shembuj “se si disa institucione publike të arsimit të lartë kanë dështuar në sigurimin e stafit të kualifikuar sipas fushës së studimit për bartës të programeve”.

# 1 Universiteti “Haxhi Zeka”

Programi Menaxhimi i Burimeve Njerëzore, niveli MSc (120 ECTS), dy bartës të programit me Ph.D. në fushat: 1) Ekonomi; 2) Filologji

# 2 Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”

Programi Udhëheqja në Arsim, niveli MA (90 ECTS), dy bartës të programit me Ph.D. në fushat: 1) Histori; 2) Psikologji

# 3 Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”

Programi Edukim Parashkollor, niveli BA (240 ECTS), katër bartës të programit me Ph.D. në fushat: 1) Kulturë Fizike dhe Sport; 2) Shkenca mjekësore, 3) Sociologji; 4) Fizikë

# 4 Universiteti i Gjilanit “Kadri Zeka”

Programi Edukim Fillor, niveli BA (240 ECTS), katër bartës të programit me Ph.D. në fushat: 1) Filologjii; 2) Filologji; 3) Filologji; 4) Gjuhësi dhe Didaktikë

# 5 Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani”

Programi Edukim Fillor, niveli BA (240 ECTS), katër bartës të programit me Ph.D në fushat: 1) Kimi; 2) Makineri; 3) Histori; 4) Punë Sociale

# 6 Universiteti i Shkencave të Aplikuara – Ferizaj

Programi Menaxhment i Hotelierisë dhe Turizmit, niveli BSc (180 ECTS), tre bartës të programit me Ph.D. në fushat: 1) Ekonomi; 2) Lëndë paraklinike/Mjekësi; 3) Filologji.

“KSHC mbetet e përkushtuar për vendimmarrje me llogaridhënie, transparencë, dhe e hapur për dialog me hisedarët në Kosovë dhe komunitetin ndërkombëtar. Ju përkujtojmë se çdo mbledhje e KSHC monitorohet nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe media. Ne shohim vendimet e KSHC në funksion të ngritjes së cilësisë në arsimin e lartë përgjatë sektorit publik dhe privat”, theksohet ndër të tjerash në reagim.