Pas rastit të parë të murtajës bubonike, Kina mbyll disa pika turistike në atë zonë

08.07.2020 17:41:21

Autoritetet në Mongolinë e Brendshme kanë mbyllur disa pika turistike në vend, pas rastit të murtajës bubonike.

Sipas mediave të huaja, rasti u zbulua në Bayannur, i cili ndodhet në veriperëndim të kryeqytetit Pekin.

Ndërkohë pesë pikat piktoreske u mbyllën, ndërsa vizitorët e kanë të ndaluar të hyjnë në zonën e prekur.

Autoritetet në Mongolinë e Brendshme kanë implementuar një menaxhim të rreptë për sa i përket vendeve të tjera turistike.

Në saje të këtyre rregullave, ata udhëzuan vizitorët që të shmangin kontaktin me kafshët e egra.

Ndryshe, personi i cili u diagnostikua të martën me murtajë bubonike, aktualisht gjendet nën izolim, dhe po trajtohet në spital.

Mjekët njoftojnë se gjendja e pacientit është stabile.

Murtaja bubonike është një sëmundje e shkaktuar nga bakteri i quajtur Yersinia pestis që jeton kryesisht në brejtës dhe pleshta.

Njerëzit mund të prekën nga ai duke prekur kafshët e infektuara (zakonisht minjtë), duke u kafshuar nga pleshtat e infektuar ose duke thithur pikat e frymëmarrjes nga një kafshë e infektuar.

Ndërkohë thuhet se transmetimi nga njeriu në njeri i murtajës bubonike është shumë i rrallë.