Pas rigjykimit, të akuzuarve për vrasje të rëndë u përgjysmohet dënimi

21.11.2017 17:59:25

Gjykata Themelore në Prishtinë, të akuzuarve për vrasje të rëndë, Ramadan Osmanit, Besnik Brahimit dhe Afrim Kalludrës, ua ka përgjysmuar dënimin, pas rikthimit të lëndës në rigjykim, ndërsa Adem Shabanin për të dytën herë e ka liruar nga akuza.

Për veprën penale “vrasje e rëndë”, Ramadan Osmani është dënuar me 13 vjet burgim, Besnik Brahimi dhe Afrim Kalludra, janë dënuar me nga 11 vjet burgim, ndërsa për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”, tre të akuzuarit janë liruar nga akuza.

Ndërsa, i akuzuari Adem Shabani, është liruar nga akuza për të dy veprat penale.

Sipas kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Sazana Çerkini, të akuzuarit Osmani, Brahimi dhe Kalludra, janë liruar për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”, pasi sipas saj, asnjë provë nuk e kishte e  kishte vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer këtë vepër penale.

Kurse, i akuzuari Shabani, sipas gjykatëses Çerkini, është liruar për dy veprat penale, me arsyetimin se nuk është provuar se ai i kishte kryer veprat për të cilat akuzohej.

Tashmë të dënuarit, Osmani, Brahimi dhe Kalludra, janë obliguar që t’i paguajnë edhe shpenzimet e procedurës, si dhe paushallin gjyqësor secili nga 200 euro.

Të njëjtëve, gjykata me aktvendim të veçantë ua ka vazhduar paraburgimin, deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.

Në këtë proces gjyqësor, i akuzuar për vrasje të rëndë ka qenë edhe Xhabir Menxhiqi, por i cili më vonë ka ndërruar jetë, si dhe Ali Menxhiqi, i cili gjendet në arrati.

Ky rast ishte kthyer në rigjykim, më 26 tetor 2015, pasi që Gjykata e Apelit, kishte gjetur shkelje gjatë gjykimit të shkallës së parë dhe kishte rrëzuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 22 janar 2013, tashmë të ndjerin Xhabir Menxhiqin, e kishte dënuar me 40 vjet burgim, Ramadan Osmanin me 25 vjet burgim, Besnik Brahimin me 23 vjet burgim, Afrim Kalludrën me 21 vjet burgim, ndërsa Adem Shabanin, e kishte liruar nga akuza në mungesë të provave.

Sipas aktakuzës, pesë të akuzuarit, në gusht të vitit 2012, në rrugën magjistrale Mitrovicë-Prishtinë në Babimoc, pas marrëveshjes paraprake dhe në bashkëkryerje me Ali Menxhiqin, i cili gjendet në arrati, nga motivet e ulëta dhe me dashje direkte kanë privuar nga jeta, Mensur Rashicën.

Të akuzuarit, gjithashtu kanë tentuar ta privojnë nga jeta edhe të dëmtuarin, Maliq Rashica dhe po ashtu kanë vënë në rrezik jetën e bashkëshortes së tij, Shehide Rashica.

Sipas prokurorisë, derisa dhëndri i tyre-tani i ndjeri Mensur Rashica, ngiste veturën, të akuzuarit Ali Menxhiqi dhe Ramadan Osmani me vetura i dalin në pritë dhe ia bllokojnë rrugën duke e detyruar të ndalet. Pastaj nga mbrapa vjen me veturë edhe Xhabir Menxhiqi, të cilën e drejtonte Afrim Kalludra, me ç’rast nga vetura del Xhabir Menxhiqi me pushkë automatike. Po ashtu, nga veturat dalin edhe Ali Menxhiqi, Ramadan Osmani dhe Adem Shabani dhe iu ofrohen veturës së tani të ndjerit Mensur Rashica, kurse Afrim Kalludra dhe Besnik Brahimi i presin në veturë.

Tutje, sipas aktakuzës, Xhabir Menxhiqi kishte shtënë nga afërsia me pushkë automatike, ndërsa Ali Menxhiqi kishte shtënë disa herë me revole me ç’rast kishte qëlluar Mensur Rashicën, i cili nuk u kishte mbijetuar plagëve.