Pas vendimit të Supremes, Daka tregon se kur ndodh certifikimi i rezultateve

06.07.2017 14:49:38

Pas vendimit të Gjykatës Supreme rreth ankesave të kandidatëve të partive politike për zgjedhjet e 11 qershorit, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka treguar se kur mund të ndodhë edhe certifikimi i rezultateve.

Daka në një prononcim për Express ka thënë se tash pas vendimit të Supremes duhet pritur edhe vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për të proceduar më tutje.

“Pas vendimit të Supremes duhet pritur për vendimin e PZAP-it. Tash PZAP duhet prapë me vendos dhe të na dërgojë atë vendim kështu që na nuk mundemi me vendos pa e marrë atë vendim. Besoj që brenda disa orëve e marrim vendimin e PZAP-it dhe mandej vendosim”, është shprehur kryetarja e KQZ-së.

Ajo tha se në qoftë se gjithçka është në rregull, atëherë certifikimi mund të ndodhë gjatë javës, e nëse ka ndonjë rinumërim nuk mund të ketë certifikim këto ditë.

Daka sqaroi se këtë mund ta dijë vetëm pasi ta marrë vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Ndërkaq, Gjykata Supreme ka vendosur sot lidhur me ankesat e subjekteve politike kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke i pranuar dy ankesa si të bazuara dhe duke hedhur poshtë tri të tjera.

Gjykata Supreme tregon se ankesa e Jollxhi Shalës nga subjekti politik Kosovaki Nevi Romani Partia (KNRP), është pranuar si e bazuar.

Edhe ankesa e kandidatit për deputet Vehbi Imeri nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, është pranuar si e bazuar.

Ndërkaq, kërkesa që është refuzuar është ajo e kandidates së koalicionit LDK-AKR-Alternativa, Myzejene Selmani.

Po ashtu, kjo gjykatë bëri me dije se është refuzuar si e pabazuar edhe ankesa e Slavko Simic nga Lista Serbe sikurse edhe e kandidatëve tjerë për deputetë, Fadil Aliu, Muhamet Mustafa, Nuredin Ibishi dhe Besnik Krasniqi.