Pastori ndërpret Trumpin: Jo politikë në Kishë! (Video)

15.09.2016 13:57:03

Nuk ka politikë brenda në Kishë. Të paktën, jo në Kishën e Bashkuar Metodiste Bethel në qytetin Flint, në Miçigan.

Një leksion që Donald Trump e mori në mënyrën e ashpër, pasi u ndërpre nga pastori i kishës së vogël në këtë qytet amerikan.

Flinti u bë i famshëm në fillim të këtij viti për një arsye negative, pikërisht krizën e helmimit të ujit.

Kandidati republikan shkoi atje për të dhënë mbështetjen e tij dhe zgjodhi Kishën Metodiste në këtë qytet me shumicë banorësh me ngjyrë, si vazhdim i përpjekjeve të tij për të afruar këtë pjesë të elektoratit.

Por, gjatë fjalimit të tij, nga kriza e ujit dhe vështirësitë e banorëve të qytetit, Trump nisi të sulmojë Hillary Clintonin, e cila, sipas tij, me votën që i dha marrëveshjes për tregtinë e lirë, ka dëmtuar ekonominë e Flintit.

Sapo nisi sulmin verbal ndaj Clintonit, pastori Faith Green Timmons ndërhyri duke ndërprerë Trumpin.

“Z.Trump, ju ftova këtu në shenjë falenderimi për atë që keni bërë për komunitetit e Flintit dhe jo për të dhënë fjalime politike“, deklaroi Timmons. Trump u tërhoq menjëherë nga qëndrimi i tij dhe ndërsa disa nga turma hodhën parulla kundër tij, pastori Timmons tregoi edhe një herë forcën e saj në komunitet, duke i thënë njerëzve të pranishëm se Trump ishte i ftuar në kishën e saj dhe të gjithë duhej ta respektonin.

Pas këtij incidenti, në një intervistë për mediat, pastori Timmons tha se kisha e saj është e hapur për të gjithë dhe se prania e Trumpit aty nuk tregon se ajo mbështet kandidatin republikan.