Pasuria e Anton Qunit dhe Xhavit Halitit

11.06.2018 21:51:08

Kohëve të fundit opinioni kosovar ka parë një përplasje rreth 8 milionë markave në kohën e luftës, në mes Xhavit Halitit dhe Anton Qunit. Deputeti i LDK-së, e akuzonte Halitin, se gjatë kohës së luftës i ka marrë para ta gatshme në vlerë prej 8 milionë markash, nga qeveria e atëhershme në ekzil. Kjo akuzë ishte mohuar vazhdimisht nga Haliti, duke thënë se nuk ka qenë kjo shuma të cilën ai e kishte marrë nga Ahmet Krasniqi.

Përkundër këtij debati, të dy këta tashmë kanë deklaruar pasurinë e tanishme të tyre, në Agjencinë Kundër Korrupsionit, shkruan Insajderi
Xhavit Haliti, sipas deklarimeve të bëra nga vetë ai, posedon pasuri të paluajtshme (tokë, shtëpi) në vlerë prej 1 milion e 220 mijë euro.
Haliti ka deklaruar se vozitë veturë në vlerë prej 7 mijë eurosh, dhe në pronësi të tij janë edhe ari në vlerë prej 25 mijë eurosh.
Nënkryetari i Kuvendit nga PDK, në bankat kosovare, i ka para të gatshme 133 mijë euro.
Kurse, deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka pasuri të paluajtshme që kap vlerën e 412 mijë eurosh. 11 mijë euro është vlera e dy veturave të pronësi të tij. Quni ka deklaruar së para të gatshme në bankë i ka 5 mijë e 700 euro.