Patozi: PD-ja në duart e Bashës, përgjegjësi edhe e Berishës!

13.09.2018 22:51:01

Por pavarësisht shportës plot me kritika për Lulzim Bashën, teksa ka denoncuar si të manipuluara zgjedhjet në PD, e për më tepër premtimit të një fushate agresive politike brenda partisë për ta ndryshuar atë, duket se gjithçka ka rënë në heshtje, e tek-tuk ka ndonjë reagim të mefshtë të ndonjë nga personazhet e PD-së, prej të cilave Basha duket se nuk shqetësohet.

A mos vallë Patozi është një lloj aktori i veçuar politik, madje si komentator politik dhe jo më si aktor protagonist i Partisë Demokratike? Kësaj pyetjeje dhe të tjerave, Astrit Patozi iu është përgjigjur në emisionin “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja, në Top Channel, gjatë kësaj të enjteje.

“Unë nuk vij të përfaqësoj qindra mijëra njerëz, megjithëse mund t’i përfaqësoj ata. Nuk i njoh vetes ndonjë mision që duhet të shpëtoj kombin apo PD-në nga kthetrat e Lulzim Bashës apo nga korrupsioni. Unë nuk kam përgjegjës që të udhëheq një lëvizje qoftë brenda partisë, qoftë jashtë PD-së. Por, unë ndiej detyrimin që në radhë të parë brenda partisë time të thoja disa të vërteta dhe nuk kam rreshtur për këtë”, u përgjigj Patozi.

Një deklaratë që mund të interpretohet edhe si vetëpërjashtim, si një kundërshtar i Lulzim Bashës në një garë të ardhshme politike.

“Jo, unë nuk mund të garoj kurrë në një parti, me të cilën nuk kam më asnjë lidhje. E kam deklaruar para disa muajsh se nuk më lidh asgjë me Partinë personale të Lulzim Bashës, ndërkohë që për mua Partia Demokratike nuk ekziston më. Megjithatë, aktiviteti im politik nuk ka marrë fund, edhe pse nuk jam këtu sot për të shpjeguar se cili do të jetë fati im politik. Unë mbetem qytetar i angazhuar dhe njeri me vëmendje absolute për zhvillimet politike të vendit, sepse ndiej detyrimin që disa të vërteta duhet t’i them. Koncepti im për politikën është i tillë, që jo thjesht PD-ja, por Shqipëria ka nevojë për një lëvizje që duhet të vijë nga e djathta, sepse Shqipëria ndodhet në një kënetë depresive nga e cila nuk mund të dalë me opozitën me paterica të Lulzim Bashës, i cili sot ka marrë peng PD-në dhe opozitën në përgjithësi”, deklaroi Patozi.

Por, a mundet Astrit Patozi të japë një opinion si qytetar i angazhuar dhe njohës i mirë i PD-së, se çfarë është Sali Berisha për Partinë Demokratike sot?

“Sali Berisha është një figurë e rëndësishme për PD-në, roli i të cilit sigurisht që vjen duke u zbehur me kalimin e viteve dhe nuk kemi përse çuditemi për këtë, sepse është ligj i natyrës. Sali Berisha ka përgjegjësitë e tij për kohën që ka udhëhequr Partinë Demokratike, por ndoshta edhe për epokën pasi dorëzoi stafetën. Por pas vitit 2013 nuk është vetëm përgjegjësia e tij. Edhe unë që po flas tani kam përgjegjësitë e mia, sikurse shumë të tjerë. Unë i mbaj turpin çdo njeriu që ka pasur mundësi ta ndalojë këtë erozion të frikshëm të Partisë Demokratike dhe nuk ka bërë detyrën e tij. Njeri që me veprimin ose mosveprimin, heshtjen apo fjalën e tij ka ndihmuar Lulzim Bashën që ta çojë PD-në në këtë gjendje”, deklaroi Patozi.