Pazari i rëndë për Kosovën: “Republika Srpska” për anëtarësim në OKB

20.06.2018 18:55:31

Nga Rexhep Kastrati

Enver Hoxhaj më në fund bëri të qartë thelbin e pazareve politike që Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq kanë bërë. Sipas tij, Asociacioni do të shkojë paralel me ulësen e Kosovës në OKB, e që tashmë ia heq gjithë misterin dhe gjithë maskën një procesi pazaresh disavjeçarë e që do të prekë në thelb kushtetutën e Kosovës.

Në këtë mënyrë, është bërë e qartë se të gjitha marrëveshjet e veçanta të arritura në Bruksel, por edhe të tjera sekrete ndërmjet Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit kanë pasur për qëllim të ndrtojnë hap pas hapi “Republika Srpskën” në Kosovë.

Është kështu për faktin se anëtarësimi i Kosovës në OKB do të thotë shfuqizim i Rezolutës 1244, e që kërkon edhe konsensusin e Rusisë dhe të Kinës, konsensus që nuk do të jetë i mundur pa një marrëveshje të favorhsme për Serbinë. Kjo do të thotë se asnjë marrëveshje që nuk nënkupton Asociacionin me kompetenca ekzekutive, pra një “Republika Srpska” nuk do të pranohej nga Serbia.

Prandaj, paralelizimi i krijimit të Asocacionit me ulëse në OKB, nuk është asgjë tjetër pos ndërlidhje e anëtarësimit të Kosovës në OKB me krijimin e një “Republika Srpska” në Kosovë. Dhe ky është një proces krejt i kundërt me procesin që patën filluar si proces i anëtarësimit të Kosovës në OKB të bëhej nëpërmjet Asamblesë parlamentare të OKB-së, e jo nëpërmjet Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Dhe ky ishte procesi që kishte të bënte me anëtarësimin e Kosovës në UNESCO nëpërmjet Asamblesë Parlamentare të saj. Ky proces do të realizonte synimin e Kosovës dhe të aleatëve tanë që të anashkalohej vetoja ruse në OKB dhe Kosova të mos detyrohej ta negocionte anëtarësimin në organizata ndërkombëtare me “Republika Srpska”.

Dihet tashmë se PDK, dhe partitë e djeshme opozitare bënë gjithçka për të penguar anëatrsësimin e Kosovës në UNESCO, përfshirë edhe dhunën, anarkinë dhe gjithë rrëmujën tjetër politike, institucionale dhe të sigurisë në Kosovë.

Pra, qysh atëherë ishte vështirësuar dhe ishte dështuar procesi i anëtarëlsimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, pra edhe në OKB nëpërmjet Asamblesë Parlamentare e ku nuk kërkohet vota e të gjithë anëtarëve, por e shumicës së shteteve anëtare.

Tashmë mund të thuhet se pazari: “Republika Srpska” për ulëse në OKB do të provohet të shitet ashtu siç është shitur një pako e tërë me lëshime në favor të serbëve në kuadër të Pakos së Ahtisarit me pavarësinë. Pra, në Vjenë, u lëshua gjithçka për hir të pavarësisë, kurse tash “Republika Srpska” për ulëse në OKB. Gjithçka tjetër është një demagogji dhe një përpjekje për të mashtruar opinionin dhe për ta paraqitur dëmin e madh bërë Kosovës si një fitore të madhe.