PD-ja njësoj si Presidenca: Fakte tronditëse, po zhbëhet Reforma në Drejtësi

20.02.2020 20:53:20

Pas konferencës për shtyp të presidentit Ilir Meta, reagoi edhe Partia Demokratike që vuri në dukje faktin se të tjera fakte janë bërë publike nga uzurpimi i Gjykatës Kushtetuese nga qeveria Rama. Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, i quajti faktet e publikuara nga Presidenca si të pakundërshtueshme.

“Qeveria e Edi Ramës me Etilda Gjonajn, Parlamenti i Edi Ramës me Gramoz Ruçin, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i Edi Ramës me Ardian Dvoranin tani janë të provuar me dokumenta zyrtarë se janë pjesë e një organizate mafioze për të asgjesuar pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese që në lindje. Me një skemë kriminale, Qeveria ka ndërmarrë veprime aktive për t’i rrëmbyer kompetencën kushtetutese Presidentit të Republikës për emërimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese dhe për të emëruar aty një shërbëtore politike të Qeverisë.

Dokumentet e bërë publikë nga Presidenti janë tronditës. Qeveria boton në Fletoren Zyrtare një akt për llogari të KED-së, që sipas Kushtetutës është një institucion pa asnjë lidhje me Qeverinë. Është një tjetër akt i paprecedentë që minon ndarjen dhe balancimin mes pushteteve, shtetin ligjor dhe besimin e qytetarëve tek drejtësia, zhbën Reformën në Drejtësi dhe thellon krizën politike dhe institucionale në vend.”, ishte mesazhi i tij në Facebook.