PD mbledh sot Kuvendin Kombëtar, pritet “shpërthimi” i Eduard Selamit

29.04.2018 10:19:55

Ashtu siç edhe është paralajmëruar prej mëse një muaji, partia Demokratike do të zhvillojë sot mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.

Për të diskutuar dhe votuar ndryshimet e vendosura nga Këshilli Kombëtar në statutin e PD, të cilat blindojnë pozicionin e Lulzim Bashës në krye të kësaj force politike,  do të jenë të pranishëm rreth 7500 delegatë.

Mbledhja pritet të nisë rreth orës 10:00. Mësohet se aty do të mungojnë kritikët e kryetarit Basha, pavarësisht se ky i fundit ka tentuar me lëvizjet e fundit t’i afrojë në gjirin e të djathtës. I vetmi zë kundër që pritet të jetë i pranishëm, është ish-kryetari i PD Eduard Selami, i cili do të shprehë edhe qëndrimin e tij.

Në ndryshimet e statutit është vendosur që kandidatët për pushtetin vendor dhe qendror të përzgjidhen pas një konsultimi me anëtarësinë, ndërsa do të ulet ndjeshëm edhe numri i anëtarëve të kryesisë dhe Këshillit Kombëtar. Po ashtu krerët e departamenteve nuk do të jenë me anëtarë të kryesisë.