PD: Plani i Veliajt për Tiranën, korruptiv dhe kundër qytetarëve

14.01.2017 18:20:44

Këshilltarët e djathtë të Bashkisë së Tiranës, drejtues të departamenteve të Partisë Demokratike, profesorë, intelektualë, ekspertë dhe qytetarë të Tiranës diskutuan në lidhje me problemet që sjell sipas tyre plani i ri urbanistik i kryeqytetit.

Artur Sulçe, ekspert për sigurinë rrugore, theksoi se shoqata që ai përfaqëson ka reaguar e para kur Edi Rama mbolli pemët në rrugët interurbane kryesore nga mbikalimi i Kamzës deri në mbikalimin e Kasharit.

“I thamë që ke shkelur ligjin. Pas një viti ai e ndryshoi këtë ligj për të përligjur atë ndërtim të paligjshëm që bëri. Dhe asnjë nuk u çua për ta goditur në aspektin juridik. Po rritet dita ditës numri i përdoruesve të lëndëve psikotrope të cilat nga mediat e shkruara dhe vizive ka dalë që janë mbi 50 mijë përdorues. Këta janë nga 18 deri në 60 vjeç, të cilët përdorin mjetet. Nga 500 mijë mjete që kemi  1/10 janë këta njerëz që i japin makinave. Imagjinoni probabilitetin e riskut të një aksidenti rrugor. Ka shumë probleme që ne i kemi bërë publike”, tha ai.

Andi Tepelena, aktivist i shoqërisë civile theksoi: “Tirana po kthehet në një qytet skizofrenik ku duke filluar që nga shtëpitë tona nuk po e kryejnë rolin e tyre pasi jemi të gjithë të stresuar që kur zbresim poshtë pallatit. Rrëmuja gjeometrike që karakterizon Tiranën është pa dyshim shumë e qartë. Nëse e shihni Tiranën nga Dajti, e vetmja hapësirë, zonë që ka hapësirë, janë varrezat e qytetit. Është një rrëmujë, nuk kuptohet, a është qytet oriental, Amerikë Latine, Indi apo Azi. Është një qytet pa një lloj identiteti vizual. Tirana po humbet humanizmin. Është një qytet që po jeton nervozizëm të tejskajshëm. Në Tiranë duhet të shtohen hapësirat e gjelbërta dhe nuk ka nevojë më për ndërtime”.

Ledian Bregasi, arkitekt, përfaqësues i Unionit të Arkitektëve dhe Urbanistëve, theksoi se më datë 31 dhjetor është dalë me deklaratën e fundit për shtyp mbi planin e përgjithshëm vendor që u miratua në Këshillin Bashkiak ku ngritëm shqetësime në lidhje me infrastrukturën e cila nuk do të ketë atë fuqi sa pretendohet të jetë zhvillimi i Tiranës si në banor ashtu edhe në shkëmbime ekonomike. “Ideja e pesë unazave thellon edhe më shumë problemin e trafikut që ndodh në Tiranë. Idea e pesë unazave ishte në planin e viteve ’39, ’43 dhe në planin e vitit 1989. Plane që në atë kohë makina ligjërisht ishte e pamundur. Me të njëjtin koncept nuk mund të vazhdohet edhe tani. Nuk parashikohet asnjë skemë alternative për të shmangur trafikun. Parku i Liqenit është kthyer në simbol të të gjithë betejës së zhvillimit të paqëndrueshëm”.

Në diskutimin e tij këshilltari bashkiak Besnik Aliaj theksoi se: “Janë atakuar disa ligje si ligji për planifikimin e territorit, ligji për transparencë dhe informimin e publikut, ligjet për çështjet mjedisore dhe ligji për trashëgiminë. Po flasim për aktivitete dhe ndërmarrje që atakojnë pjesën qendrore që është në një regjim mbrojtje të trashëgimisë historike të qytetit. Përse bëhet kjo me kaq nxitim dhe me kaq shqetësim?! Nuk ka nevojë ta them pasi ajo dihet. Unë e kam shprehur edhe publikisht. Unë dua të nënvizoj faktin që vetëm me këtë argument që u ngrit, funksionimi i Këshillit Bashkiak ka rënë. Nuk ekziston më ky këshill për mendimin tim. nuk ka më një shtrat dhe kolona ligjore sepse nuk janë kushtet që të funksionojë në mënyrë demokratike, nuk është informuar, nuk janë mbledhur as komisionet përkatëse. Na është dhënë informacioni 5 ditë para. Është bërë takimi 3 ditë para dhe pastaj është çuar në mbledhjen e këshillit. Nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e qytetit kjo. Unë jam në të tretin mandat dhe kemi pasur në raste të tjera debate por në fund të fundit ka pasur diskutime, kemi pasur diferenca mendimesh, por janë bërë takime publike, në media, etj por ky ka qenë një rast ekstrem dhe i mbajtjes së fshehtë. Kjo është shumë e rëndë. Tani për mendimin tim gjithçka ka ikur nga institucionet e zgjedhura dhe demokratike dhe i takon sovranit të vendosë. Opozita duhet të bëjë gjithçka të fitojë besueshmërinë që kjo nuk është një betejë e radhës politike por është një përpjekje serioze në kuadër të një krize serioze të demokracisë që ka vendi”.

Drejtuesi i departamentit të Mjedisit Jamarbër Malltezi Malltezi tha se plani i ri që i imponohet Tiranës e kthen  si të vetmin kryeqytet në botë që bulevardi  përfundon në qytet tjetër. “Duhet prishur një park urban për të ndërtuar një tepsi betoni, ky duket të jetë  fokusi i kësaj çështjeje. Po të bëjmë një krahasim mes planit që u bë në 2013 dhe planit që kaloi në mënyrë shumë të rrufeshme dhe të fshehtë pa u konsultuar në fund të dhjetorit 2016. Si bashkautor i vlerësimit  strategjik mjedisor për planin 2013 dua të bëj paralelizma midis dy planeve. Plani 2013 një proces i gjerë konsultimi pjesëmarrjeje, të dokumentuara me dhjetëra e dhjetëra takime të grupeve strategjike me qytetarë, intelektualë, artistë dhe me ekspertët që shihnin me vizion dhe logjikë. Dhjetëra mbledhje të hapura të paktën pa logo partish, mbledhje të hapura për çdo qytetar pa presione,  plani i 2013-ës i vuri kufizime ndërtimeve, u tha stop nuk mund të ndërtosh ku të teket. Sot me planin e ri nuk kemi asnjë kufizim për ndalimin e ndërtimeve në zonat urbane, ka vetëm tek zonat kombëtare. Kjo bëhet sepse brenda një viti jemi dëshmitarë se si kryeministri Rama po ndërton më mënyrë sistematike në parqe e lulishte për interesa të klientëve. Kemi prerjen e dhjetëra e dhjetëra pemëve, betonizimin e parkut kinse për kënd lojrash. Kemi prishjen e pyllit urban tek sheshi  Skënderbej. Kemi betonizimin e parkut Rinia me një vendim të fshehtë, kemi ndërtime brenda parkut të Tiranës në dy anët e Korpusit të Universitetit Politeknik. Kemi blerjen e mediave nga oligarkët që bëjnë ndërtime edhe brenda lulishteve. Plani i ri rrezikon të betonizojë të gjithë parqet dhe lulishtet brenda qytetit. Kjo ndërhyrje e shtrenjtë prej afro 17 milion dollarë në sheshin Skënderbej po kryhet për interesa të vogla, bëhet pa asnjë studim paraprak hidrogjeologjik, modelim ujërash sipërfaqësore dhe nëntokësore, modelim gazesh dhe ky plan po kryhet pa asnjë diskutim të hapur publik  dhe me ekspertë”.