PD: Protesta jonë nis në 12:00 dhe nuk ka orar përfundimi. Skenarët për provokime janë mashtrime

17.02.2017 12:05:37

Partia Demokratike ka hedhur poshtë raportimet e mediave me lajme të servirura nga zyrat e qeverisë se gjatë protestës së nesërme do të ketë provokime. Me anë të një deklarate për median selia blu ka hedhur poshtë çdo skenar të këtij lloji, por duke u shprehur se protesta nuk është e përcaktua në orar.

“Partia Demokratike deklaron se protesta e paralajmëruar për nesër do të nisë në orën 12:00 dhe nuk ka të përcaktuar orar përfundimi.

Po ashtu, Partia Demokratike hedh poshtë çdo insinuatë të dalë në media me burime anonime, sikur do të ketë skenar për të provokuar Policinë.”

Ky është reagimi i menjëhershëm i PD-së pas lajmeve që u shfaqën sot befas në disa media, ku nuk citohej burimi, se Policia e Shtetit po merrte masa për protestën e opozitës më 18 shkurt pasi, sipas saj, kishte njoftime nga burime se mund të krijoheshin trazira dhe të provokohej Policia.

Protesta e 18-shkurtit është parashikuar të jetë më e madhja dhe më e fuqishmja e opozitës vetëm për nga pjesëmarrja dhe mesazhet që do të përcjellë dhe rregullisht kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka theksuar se ajo do të jetë qytetare dhe paqësore.