PD: Rama kërkon të çojë në Strasburg avokatin e tij pa i bërë vetting-un

13.08.2016 13:24:20

Partia Demokratike thotë se qeveria ka nisur në mungesë të plotë transparence, procesin e përzgjedhjes së kandidatëve që do të votohen për postin e gjyqtarit që përfaqëson Shqipërinë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

“Edhe këtë proces, Kryeministri që synon të kontrollojë çdo qelizë të drejtësisë, po kërkon ta kthejë në një tender të shëmtuar, me qëllim të sigurojë interesat e tij dhe jo të drejtat e njeriut që ai i shkel çdo ditë në Shqipëri. Kryeministri kërkon të çojë në Strasburg avokatin e interesave të tij dhe jo gjyqtarin e pavarur në majat e drejtësisë europine. Ai deklaroi se ka arritur marrëveshje me Gjykatën e Strasburgut që pronaret të mos i marrin pronat e shpronësuara, dhe tani po përpiqet të çojë në Strasburg njeriun e tij që do të mbrojë ligjin e rishpronësimit të pronarëve”, deklaroi deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi.

Opozita thotë se kandidatët për gjyqtarë në Strasburg duhet t’i nënshtrohen vettingut!

“Vetting-u garanton besimin e shqiptarëve tek drejtësia. Vetting-u nuk mund të jetë pistoletë për shantazh e Edi Ramës për gjyqtarët dhe gjykatat , ashtu si kërcënimi që i bëri pak ditë më parë gjyqtarit që rrëzoi kërkesën e tij absurde për të penguar zgjedhjet në Peshkopi”, shtoi Bylykbashi.