PDK mban peng “Trepçën”/Koalicioni rus në krye me PDK-në në funksion të interesave strategjike serbo-ruse

29.05.2017 15:12:42

Nga Rexhep Kastrati

Gjatë qëndrimit të kandidatit për kryeministër nga radhët e LDK-së dhe koalicionit të saj, z. Avdullah Hoti, në kombinatin “Trepça”, menaxhmenti dhe punëtorët e këtij kombinati kishin shprehur shqetësimin për mosemërimin e bordit të ri të këtij kombinati. Ish-kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Muhmet Mustafa ka informuar se nga informacionet që kishte, Ministria e Zhvillimit Ekonomik nuk kishte bërë emërimin, sepse kishte shpresuar se pas zgjedhjeve do të merrte PDK pushtetin dhe do të emëronte një bord sipas kuteve të saj.

Ky fakt është tepër shqetësues jo vetëm për menaxhmentin dhe punëtorët e kombinatit “Trepça”, por për të gjithë qytetarët, për shtetin dhe për interesat strategjike të tij. Është kështu për faktin se në këtë mënyrë po vihet në dukje fakti se PDK ka neglizhuar vite të tëra çështjen e “Trepçës”, duke mos e realizuar kurrë një ligj që do ta përcaktonte statusin e saj. Është e qartë se ky neglizhim nuk ka qenë kurrë në interes të “Trepçës”, në interes të punëtorëve të saj, as në interes të vendit, por ka qenë në interes të Serbisë, e cila ishte e interesuar, ashtu siç vazhdon të jetë edhe sot e gjithë ditën e interesuar për përvetësimin e këtij kombinati.

Mirëpo, kur Qeverinë e mori LDK dhe kur kryeministri Mustafa në maj të vitit të kaluar u kishte premtuar minatorëve se do të zgjidhte statusin e kombinatit me një ligj të veçantë, e që u bë edhe falë punës kolosale, të vazhdueshme, shumë intensive dhe të vështirë të Muhamet Mustafës si kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, të vetmen gjë që mundi ta bënte PDK edhe për shkak të zhvillimeve në vend, ishte neglizhimi i emërimit të bordit të ri drejtues të këtij kombinati, e që do të fillonte operacionalizimin e ligjit dhe kryerjen e punëve, përfshirë edhe fizbilitetin që tashmë i është dorëzuar kryeministrit Mustafa. Në këtë mënyrë, është e qartë se PDK ka mbajtur dhe po mban peng një kombinat të tërë, dhe për më tepër operacionalizimin e ligjit për “Trepçën”, duke vazhduar të sillet në përputhje me interesat e Serbisë.

Ky qëndrim bllokues dhe pengues i PDK-së lidhur me “Trepçën”, gjithsesi nuk duhet të shihet si një qëndrim i izoluar, por në kuadër të gjithë qëndrimeve që kjo parti dhe partitë tjera deri dje në opozitë lidhur me qëndrimin ndaj veriut në tërësi. Tashmë është bërë e qartë se PDK, AAK-Nisma, VV, kanë shpërfaqur qëndrime që çojnë o kah krijimi i një “Republika Srpska”, o kah ndarja e Kosovës. PDK, nëpërmjet Hashim Thaçit, që nga paslufta ka shpërfaqur elemente të ndarjes së Kosovës në emër të shkëmbimit të territoreve me Serbinë, AAK nëpërmjet Ramush Haradinajt, ka shprehur të njëjtën vetëm pak ditë pas kthimit nga qëndrimi i përkohshëm në Francë, kurse Albin Kurti tashmë e ka bërë publike kaherë platformën e Tadiqit për bashkimin e Kosovës me shtetin shqiptar, me kusht që edhe Serbia të merrte një pjesë të saj. Edhe rasti i fundit i bashkërendimit të Hashim Thaçit me Vuçiqin për nismën e tij për FSK-në, e cila jo që do e shndërronte FSK-në në FA, por do të hapte rrugën për krijimin e një batalioni, brigade a po ndonjë strukure të ngjashme serbe në veri, është një argument tjetër se neglizhimi dhe mbajtja peng e çështjes së “Trepçës”, e tashmë edhe të emërimit të bordit të ri drejtues të saj, nuk është çështje e izoluar dhe thjesht për arsye burokratike.

Prandaj edhe ka pasur një angazhim të madh të Serbisë që bashkë me PDK-në dhe partitë tjera si ajo ta rrëzojnë Qeverinë që e realizoi një nga ligjet më të rëndësishme për vendin, ligjin për “Trepçën”, duke dëshmuar kështu se koalicioni rus: PDK-AAK-Nisma-VV kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të angazhuara fort për të zbatuar strategji dhe interesa strategjike serbo-ruse në Kosovë.