Peci: Nëse Labi e voton PAN-in do të dilte hipokrit

07.08.2017 18:58:04

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Peci, ka thënë se nëse deputeti i koalicionit LAA, Labinot Tahiri, e voton koalicionin PAN, atëherë do të ishte hipokrit.

Ai mendon se nëse para zgjedhjeve dikush do ta konsideronte Ramush Haradinajn si kandidat për kryeministër atëherë është dashur që atëherë ta kishte votuar dhe jo tani.

Megjithatë për Tahirin, ai tha se ka qenë konsistent dhe pavarësisht deklaratave të tij, ai ka bërë të ditur se do të veprojë në përputhje me koalicionin LAA.

Ndërkaq, për koalicionin PAN, ai ka thënë se po sillen në mënyrë qesharake dhe qyqare.

“Sjelljet e PDK-së dhe koalicionit PAN janë si të një grupi të humoristëve dhe shoqatë e cirkuzantëve”, tha Peci,  në Info Magazine të Klan Kosovës.

“E rëndësishme është që të potencohet që qëndrimet e koalicionit PAN janë të habitshme dhe sjelljet e tyre janë qyqare që nuk përkojnë me praktikat parlamentare”, tha ai.