Peja është gati: me besë, burrëri e fisnikëri për lartësimin e Kosovës!

04.06.2017 18:28:32

Nga Rexhep Kastrati

Burrëria, besa, kultura, përkushtimi në Pejë bëri bashkë ata që japin fjalën dhe e mbajnë, ata që kanë besë dhe nuk shkelin besën! Ata bën një madhështi të bukur artistike! Epo njerëz, të bëhemi të gjithë bashkë e të bëjmë që e tërë Kosova të japë besën se vetëm dritë e diturisë, dritë e zhvillimit, dritë e përkushtimit do ta bëjë atë një zonjë të rëndë të Evropës! Me dritë të diturisë, me dritë të zhvillimit, me dritë të përkushtimit, duhet të nxirret Kosova përfundimisht nga terri, nga mjerimi dhe nga maskarallëku në të cilat e kanë vënë hijet e vdekjes, hijet e të pabesëve, që të vrasin natën e të qajnë ditën, që të bëjnë njëqind mijë të zeza dhe të zënë frymën.

Me besë, me burrëri, me përkushtim për dije, për zhvillim, për dinjitet dhe për lartësim të vlerave më të mira që ka Kosova dhe qytetarët e saj, të mposhtim të pabsët, të paburrët dhe të përkushtuarit për krim, për poshtërim të Kosovës, për zhvatjen e saj! E Kosova ka shumë vlera për të lartësuar, ka shumë burrëri dhe besë për të treguar para vetes dhe para botës. Peja e tregoi se Kosova kur do mundet, se qytetarët e saj kur duan – munden. Dhe mund ta bëjnë atë që është edhe dëshirë e qytetarëve, edhe amanet i brezave, edhe amanet i Kosovës: të lirë, të bashkuar, me dinjitet, me vendosmëri të ndërtojmë lirinë, pavarësinë, demkracinë, lirinë për të vendosur vetë për veten dhe për qytetarët, për Kosovën dhe për gjithë trojet shqiptare. Dhe për këtë duhet zhvillim, duhet forcim të shtetit ligjor, duhet përgjegjshmëri dhe strategji që buron nga dija, nga profesionalizmi, nga ekspertiza.

Pejanët treguan se janë gati: treguan se janë në hap me kohën, janë në hap me momentin: po sot, e jo nesër, po tash e jo më vonë, po të bashkuar, e jo të përçarë, po sinqerisht e jo me hile, po burrërisht e jo me intriga, po me duar të pastra e jo me duar me gjak dhe të futura në llagëmin e faqes së zezë, me besë e jo me tradhti.