Peja zonë karantinë, Muhaxheri: Mos dilni nga shtëpitë!

26.04.2020 09:14:06

Komuna e Pejës të shtunën në mbrëmje është shpallur zonë e karantinuar, si masë preventive ndaj COVID-19.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, përmes një postimi në Facbook, ka kërkuar nga qytetarët që të mos dalin nga shtëpitë.

“Peja prej sonte hyn në karantinë. Ju bëjmë thirrje për qetësi, duke mos daluar nga shtëpitë tuaja, mbani higjienën tuaj më shumë se asnjëherë, dhe respektoni udhëzimet që u janë dhënë me ditë të tëra. Situata po vështirësohet, por së bashku do ja dalim. Shëndet për ju dhe familjet tuaja!”, ka shkruar Muhaxheri.

Ndërkaq, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, vendimi për karantinë erdhi për shkak se banorët e kësaj komune dyshohen që kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë me personat e infektuar me COVID-19.

“Rrugët- Adresat: “Cenë Abdyli 47”, “28 nëntori nr.4”, “Fabrika e Sheqerit”, “Vëllezërit Kastrati”, “Adem Jashari 174 2/1” dhe fshatrat Nabërgjan, Vitomiricë, Lutogllavë, Katund i Ri (Bllagaj) në Komunën e Pejës shpallen vatra të përhapjes së infeksionit”, thuhet në vendimin e MSh-së.