Pejë: I dyshuar për vrasje në tentativë edhe djali i viktimës që u vra me sëpatë

15.09.2017 15:19:30

Policia e Kosovës, rajoni i Pejës, ka njoftuar se në lidhje me rastin e ‘Vrasjes së rëndë’, e cila ka ndodhur dje në Pejë, gjatë zhvillimit të hetimit hetuesit policor pasi që kanë intervistuar dëshmitarët dhe pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes, është vërtetuar se viktima F.G. (i plagosuri i cili gjendet nën përkujdesje mjekësore), është edhe i dyshuar për veprën e “Vrasjes në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll dhe shfrytëzim të pa autorizuar të armëve”.

I njëjti ndodhet në spitalin Rajonal të Pejës në dhomën intensive në gjendje të rëndë shëndetësore.

Lajmi.net merr vesh se bëhet fjalë për Ferid Gegën, djali i Idriz Gegës i cili dje u vra më sëpatë nga Fatmir Llonqari.

Ferid Gega ishte plagosur me disa plumba nga Fatmir Llonqari, vetëm pak minuta pasi që e kishte lënë të vdekur me sëpatë në oborrin e shtëpisë babain e tij, 81 vjeçarin, Idriz Gega.