Penalltia e Serbisë dhe huqja e Kosovës

11.05.2018 09:41:16

Nga Rexhep Kastrati

Kur u pat bërë publike një ftesë e Nenad Çanakut për pjesëmarrje të një delegacioni të Kuvendit të Kosovës në një konferencë ndërparlamentare në Beograd, e pata trajtuar në një shkrim, e në të cilin pata paraqitur aspektet emocionale, por edhe taktiko-diplomatike që ka kjo ftesë

Është kështu për faktin se kjo ftesë vinte nga një shtet që kishte kryer krime gjenocidale ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe ende nuk ka zbardhur fatin e mbi 1600 qytetarëve të zhdukur, as që ka shprehur ndonjë ndjesë për të gjitha këto, por në aspektin tekniko-diplomatik ishte një çështje që duhej parë me kujdes.

Sikur delegacioni i Kosovës të kishte refuzuar ftesën, do t’ia jepte Serbisë një argument të fuqishëm kundër Kosovës, me argumentin se është Prishtina që është kundër bashkëpunimit rajonal. Në anën tjetër, nëse Serbia do të refuzonte, përkatësisht do të anulonte ftesën e bërë nga Nenad Çanak si organizator i takimit ndërparlamentar në Beograd, ashtu edhe siç bëri, do të ishte një argument i fortë për Kosovën që ta paraqiste Serbinë si shtet që nuk është liruar nga e kaluara e saj milosheviqiane.

Mirëpo, siç po shihet, këtë penallti, këtë rast të volitshëm që Serbia ia dha Kosovës, diplomacia jonë, pra Ministria e Punëve të Jashtme dhe institucionet tjera, janë duke e huqur, pasi që është duke e kaluar në heshtje.

Edhe pse reagimi amerikan ishte shumë i qartë dhe i fuqishëm, megjithatë kjo çështje është çështje për diplomacinë e Kosovës, e cila do të duhej të dërgonte notë verbale, do të duhej të bënte demarsh në BE dhe në institucione të tjera ndrëkombëtare, madje do të duhej të ishte një nga temat kryesore të debatit politik-publik, në mënyrë që të argumentohet në të gjitha aspektet se refuzimi, apo anulimi i ftesës së Nenad Çanak për delegacionin e Kuvendit të Kosovës të paraqitej në dimesnionet e saj reale, si vazhdimësi e politikë milosheviqiane, si mungesë e vullnetit të Serbisë për bashkëpunim rajonal dhe më gjerë, e së këndejmi edhe shtet që nuk është i interesuar për paq edhe stabilitet në rajon.

Në këtë kontekst do të duhej të trajtohej edhe çështja e moslejimit të karateistëve të Kosovës për të marrë pjesë një kampionatin evropian që do të mbahet në Serbi, si një argument shtesë se Serbia nuk është e interesuar për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, si dhe për të forcuar proceset inegruese euro-atlantike në rajon.

Institucionet e Kosovës, ndërkaq, sillen sikur këto raste të kishin të bënin me ndonjë shtet afrikan apo aziatik, e jo me vetë Kosovën, dhe lënë këtë rast, si shumë raste të tjera që të kalojnë pa të keq.

Duket se vazhdon ende ajo pritja parazite se çka po bëjnë shtetet tjera në vend të saj, e jo që vetë të bëjnë një diplomaci të mirëfilltë, ashtu siç do ta bënte secili shtet tjetër.

Në Kuvendin e Kosovës, së paku do të duhej të zhvillohej një interpelancë me minsitrin e Jashtëm, z. Pacolli për këtë çështje, dhe për të bërë rekomandime për një dinamizim të diplomacisë, si dhe për një aktivizëm të duhur dhe efektiv diplomatik.