Pendarovski: Pres nga Turqia ratifikimin e Protokollit për NATO-n

26.05.2019 11:28:14

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka kërkuar nga Turqia që ta mbështes shtetin e tij për anëtarësim në NATO.

Sipas Alsat M, Pendarovski tha kështu në prani të Kryetarit të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Republikës së Turqisë, Mustafa Shentop.

“Ndonjëherë mund të kemi pasur edhe pikëpamje të ndryshme për disa çështje, por gjithmonë mund të arrish të gjesh zgjidhje më të pranueshme për të dyja palët. Prandaj, si President pres që miqtë tanë turq ta konfirmojnë këtë mbështetje duke ratifikuar protokollin për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO. Sepse anëtarësimi ynë në Aleancë nuk nënkupton vetëm potencialin tonë ushtarak, por edhe vlerat tona të bashkëjetesës dhe të respektit të diversitetit”, tha presidenti Pendarovski.

Prioritet i tij, siç thuhet në njoftim, është të kontribuojë në pajtimin civil.

“Qëllimi im është që në shtetin tonë evropian të promovoj vlerat të cilat afrojnë dhe jo vlera që ndajnë”, tha Pendarovski.