Për çka jeni krenarë Jakup Krasniqi: që patët pushkë për shqiptarët?

22.05.2017 21:57:48

Nga Rexhep Kastrati

Jakup Krasniqi, përpjekja për të futur përçarje në popull në ata që gjoja janë të pushkës dhe ata që nuk kanë qenë të pushkës është një përpjekje që shkon në interes të Serbisë dhe të aleatëve të saj. Dhe është po kjo përpjekje që u bë qysh gjatë luftës dhe pas saj, e që shquhej me një propagandë primitive kundër Republikës së Kosovës që isht vullnet i shqiptarëve i shprehur në referndumin e vitit 1991, kundër lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci që e lartësoi kombin shqiptar në përgjithësi dhe Kosovën në nivelet më të larta të afirmimit ndërkombëtar, të simpatisë ndërkombëtare dhe që rrëzoi për tokë rrenat serbe dhe të aleatëve të saj se shqiptarët nuk dinin të bënin dhe të mbanin shtet. Për shkak të kësaj propagande dhe lufte speciale, u vranë shumë personalitete të rëndësishme politike, ushtarake e medietike, duke e kthyer Kosovën dhe jo vetëm atë në një territor ku synimet për luftë vëllavrasëse ishin shfaqur në çdo cep të saj. E nëse kjo ju bën krenar, atëherë e bafshi me shëndet këtë lloj krenarie! Mirëpo, shqiptarët dinë të dallojnë të vërtetën, dinë të dallojnë të gjithë ata që e morën pushkën për të luftuar kundër pushtuesit, dhe ata që e morën pushkën kundër shqiptarëve! E ata që e morën pushkën kundër pushtuesve, ata pra që e bënë realisht luftën, ata ose janë vrarë, ose jetojnë në kushte të mjera ekonomike, sepse në emër të tyre, ju komandantët e zhvatjes, të uzurpimeve, të prontos, të haraçit dhe të mollotovëve, përvetësuat edhe gjakun, edhe sakrificën, edhe lavdinë e tyre, sepse të juajën nuk keni pasur dhe nuk e keni.

Po Jakup Krasniqi, për çka tjetër jeni krenarë: për faktin se shumë komandantë kanë akuzuar njëri-tjetrin si udbashë, si tradhtarë dhe për krime? A nuk ishte Ganja që në Kuvend tregoi publikisht se kush kish bërë dosje kundër Sami Lushtakut, Sylejman Selimit etj.?

A jeni krenarë Jakup Krasniqi se keni legjitimuar ndarjen etnike të Kosovës?

A jeni krenarë që desh ia vutë flakën Kosovës për interesa të Serbisë?

Dhe për çka tjetër jeni krenarë Jakup Krasniqi?