Për domsosdoshmërinë e pastërtisë morale të figurave në politikë dhe në pushtetin demokratik

20.01.2018 16:41:40

Faktori politik shqiptar në Maqedoni ka dështuar dhe rënë keq nga provimi edhe me moszbatimin (keqzbatimin, keqpërdorimin, manipulimin) e Ligjit për pastërtinë e figurave të personave publikë (i njohur si ligji për lustrim), me qëllim të pastrimit me të kaluarën komuniste dhe largimin nga skena politike të bashkëpunëtorëve të ish sigurimeve të fshehta shtetërore, UDB, KOS, por edhe të elementeve të këtyre shërbimeve në radhët e ish ilegales shqiptare.

Nga Abdulla Mehmeti

Nga listat që qarkullojnë nëpër duart e disa individëve, të siguruara me gjasa nga dosjet private të ish agjentëve shqiptarë dhe të tjerë të atij regjimi, LISTA emërore (me amra, mbiemra, adresa dhe të dhëna të tjera personale), me numra të dosjeve të bashkëpunëtorëve të këtyre shërbimeve antishqiptare është tepër e gjatë, në të cilën përfshihen njerëz nga pushteti i atëhershëm, intelektualë, veprimtarë të ilegales, ish të burgosur politikë (të përpunuar gjatë vuajtjes së dënimit ose më vonë nga këto shërbime), gazetarë dhe të tjerë.

Këtë detyrë është dashur ta kryej me kohë pushteti demokratik i shtetit amë, por edhe strukturat e pushtetetit demokratik në Kosovë dhe Maqedoni, për aq sa kanë pasur hapësirë dhe mundësi, sepse çdo ditë e humbur në të ardhen jep mundësi për zhdukjen e këtyre dosjeve, kushtëzimin dhe kapjen e sërishme të këtyre personave nga shërbimet e sotme për interesat e tyre, si dhe keqpërdorimet e mundshme nga persona të papërgjegjshëm.

Ne shqiptarët do ta paguajmë shtrenjtë këtë papërgjegjësi dhe mossukses, duke pasur parasyshë infiltrimin (e porositur dhe të organizuar) e këtyre elementeve në strukturat drejtuese të subjekteve politike dhe sidomos në organet e pushtetit.

E gjithë kjo, nuk është dashur dhe as nuk duhet të bëhet për shkak të hakmarrje, por për domosdoshmërinë e ndërtimit të strukturave politike të shëndosha dhe të pushtetit demokratik, nga individë me të kaluar të pastër, profesionistë, të përkushtuar e të përgjegjshëm, për të sotmen dhe të ardhmen më të sigurt të kombit shqiptar.