Për herë të parë në Kosovë, operohet në QKUK foshnja 5 muajsh

23.02.2017 13:55:05

Java e Shëndetësisë Kosovë-Turqi ka mundësuar operimin e 74 personave, përfshirë edhe një foshnje 5 muajsh.

Foshnja u operua në repartin e Kardiokirurgjisë, dhe ky është rasti i parë i këtij lloj operimi në Kosovë.

Operacionet janë kryer nga ekipi i mjekëve nga Turqia në bashkëpunim me mjekët nga QKUK.

Në QKUK pacientët sot u vizituan edhe nga ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Curr Gjocaj dhe dr. Öner Güner, Drejtor Gjeneral për marrëdhënie ndërkombëtare dhe BE në Ministrinë e Shëndetësisë së Turqisë.

Güner me këtë rast njoftoi se në javën e shëndetësisë Kosovë – Turqi, deri tash janë realizuar 74 operacione, ndërkohë që në ditët e ardhshme numri i operacioneve të arrijë në 80.

Ai përmendi edhe operacionin kardiokirurgjik tek foshnja 5 muajsh dhe tek një fëmijë 5 vjeç, që janë realizuar për herë të parë në Kosovë.