Për një vit në Gostivar janë mbyllur 200 kompani

18.11.2016 18:47:01

Në territorin e Komunës së Gostivarit, sipas të dhënave nga regjistri qendror, aktualisht aktive janë mbi 3000 subjekte afariste private. Hapja e firmave të reja ka shënuar rritje permanente në pesë vitet e fundit.

Në vitin 2010, firma të regjistruara në Komunën e Gostivarit ka pasur 2738. Një vit më vonë në vitin 2011 janë regjistruar edhe 300 firma të reja, duke arritur numrin në 3011. Ky trend ka vazhduar edhe në vitin 2012 me një ulje simbolike. Numri i firmave të regjistruara brenda vitit 2012 ka qenë 2921. Në vitin 2013 numri i firmave aktive dhe të regjistruara në regjistrin qendror ka shënuar rritje pozitive. Ky vit është përmbyllur me 3017 firma aktive. Rritja e numrit të firmave sipas ekspertëve ka ndikuar edhe nga masat qeveritare për zbutjen e papunësisë.

Çdo vit, sipas planit qeveritar për punësimin e personave të papunë, nga Agjencia për Punësim në Gostivar leje për shfrytëzim të kredive nga ana e shtetit për hapjen e bizneseve të reja kanë marrë mesatarisht mbi 30 persona. “Po shohim rritje të vazhdueshme të numrit të firmave të regjistruara, edhe pse, duhet të nënvizohet edhe fakti që shumë firma po mbyllen brenda kohës. Sipas të dhënave të regjistrit qendror, kemi rritje të numrit të firmave aktive, por nëse shikohen në hollësi këto të dhëna, mesatarisht, brenda një viti mbyllen 200 firma dhe hapen 300 të tjera. Pra kemi rritje prej 100, por kemi të fshira 200 të vjetra, gjë që nuk paraqet indikator dhe shpresë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”.