Për shkak të motit anulohen 227 fluturime në Stamboll

10.01.2017 15:38:58

Reshjet më të dendura të dëborës prej gati një dekade në Stamboll i kanë prekur rëndë shërbimet e transportit në qytetin më të madh të Turqisë…

Ngushtica e Bosforit, e vetmja lidhje detare e Detit të Zi me Mesdheun dhe njëkohësisht, një nyje kyçe transporti i naftës, u mbyll për shkak të mjegullës së dendur, edhe kjo pasojë e reshjeve të zgjatura të dëborës. Moti i acartë ka paralizuar jetën në Stamboll.

“Linjat e trageteve e kanë pezulluar lëvizjen që të gjitha për shkak të motit të keq. Askush nuk do që të dalë nga shtëpia me këtë lloj të ftohti”, tha Mehmet Karakoc, banor i Stambollit.

“Kam lindur e jam rritur në Stamboll, por nuk mbaj mend në jetën time të kem parë ndonjëherë borë si kjo. Sigurisht që një situatë e tillë prek punën tonë dhe çdo gjë tjetër. E bën lëvizjen shumë të vështirë, transporti publik thuajse nuk funksionon fare. Shumica e rrugëve të Stambollit janë mbyllur të gjitha”, thotë një tjetër banor i Stambollit, Ugur Sert.

“Turkish Airlines” u detyrua të anulonte 227 fluturime të saj nga dy aeroportet e Stambollit. Shkollat janë mbyllur në qytet janë mbyllur për dy ditë, ndërsa orari i punës së administratës shtetërore, është shkurtuar. Autoritetet vendore njoftuan të dielën se një personel prej më shumë se 7.000 vetësh dhe 1.340 automjeteve janë angazhuar për pastrimin e rrugëve nga bora.