Për të “varrosur fenomenin Rama”, Basha mbledh sot Kryesinë e Grupin e PD

08.04.2019 10:28:23

“Do ta varrosim fenomenin Edi Rama”, thoshte Lulzim Basha dje në Rrogozhinë, në një takim me mbështetësit ku ndër të tjera sulmoi ashpër oligarkët –“shushunja” dhe hodhi sërish në fushën e lojë politike, listat e hapura për të bërë të mundur pastrimin e Parlamentit nga të paaftët dhe kriminelët.

Ndërkohë, sot për të mobilizuar të vetët dhe për të shtyrë më tej aksionin opozitar, kryetari i PD ka vendosur që në orën 11:00 të zhvillojë mbledhjen e përbashkët të Kryesisë dhe Grupit ish-Parlamentar.

Në takim do të flitet për masat organizative për vijimin e aksionit politik. Një tjetër pikë, është edhe organizimi i protestës së 13 Prillit, e cila siç theksoi dje kreu i opozitës do të zhvillohet në mbrëmje, në orën 18:00.

Opozita e bashkuar nuk i ka ndalur protestat për asnjë moment, duke kërkuar me ngulm dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, me pretendimin se qeveria është e përfshirë nga korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Çdo muaj PD dhe LSI organizojnë protestat kombëtare në Tiranë dhe ajo e 13 prillit, mund të çojë drejt një rrethimi të kryeministrisë për të paktën 24 orë.