Për tre gishtat e Jelenës dhe për apologjinë mallëngjyese nga Halil Matoshi

18.02.2017 19:47:23

Nga Rexhep Kastrati

Një gazetare serbe me emrin Jelena është fotografuar derisa kishte ngritur tre gishta ditën e pavarësisë së Kosovës. E postuar nga portale dhe rrjete sociale, kjo foto ngjalli reagime të ndryshme nga njerëz të ndryshëm.

Për Halil Matoshin këto reagime na qenkeshin histerike, dhe nga keqardhja, i ka kushtuar një tekst epik për ta mbrojtur dhe arsyetuar Jelenën. Në atë tekst, Lila kishte ndërtuar një apologji të paparë për tre gishtat e Jelenës. Kishte cituar edhe fjalë të urta serbe, për të treguar se asgjë të keqe nuk kishte bërë Jelena me tre gishtat e saj.

Por Lila, ose nuk e di, ose nuk e thotë me qëllim se tre gishtate hapur lidhje nuk kanë me gjithë ato që ka shkruar ai në apologjinë e tij për tre gishta e Jelenës.

Lila nuk bën dallimin ndërmjet tre gishtave të puthitur njëri me tjetrin, që është simbol i hershëm fetar, e që është praktikuar nga popuj të ndryshëm, me tre gishtat e hapur të Jelenës dhe të shovenizmit serb.

Lila nuk përmend fare se tre gishtat, bashkë me katër S-të janë ndër simbolikat kryesore të shovenizmit dhe të racizmit serb.

Prandaj, edhe shfaqja e tyre ka ndodhur bashkë me regjimin e Milosheviqit, kurse katër S-të dhe tre gishtat janë demonstruar edhe gjatë luftërave, masakrave dhe gjenocideve që serbët kanë bërë ndaj të tjerëve.

Brezin e fundit të rinisë jugosllavokomuniste, të grumbulluar rreth “Zërit të rinisë”, e ku bënte pjesë edhe Blerim Shala, Bajrush Morina dhe të tjerë si këta, nostalgjia nuk po e lë rehat.

Dhe Lila, duket se në një moment nuk ka mundur ta ndalë këtë nostalgji dhe ka bërë një apologji kaq mallëngjyese dhe prekëse për tre gishtat e Jelenës.

Dhe është ky Lila që nuk e ka thënë kurrë një fjalë të vetme për kolegët gazetarë – viktima të dhunës politike, për personalitete politike, ushtarake dhe publike të vrarë gjatë dhe pas luftës, por që i bënte apologji krimit.

Po kështu është Lila: nuk thotë një fjalë solidariteti me viktimat e krimit politik, por thur apologji mallëngjyese për Jelenën që provokon në mënyrë shoveniste.