Për t’u marrë shembull, tifozët e Senegalit pastrojnë pas ndeshjes

20.06.2018 13:19:04

Pas fitores së tyre në ndeshjen e parë në Kupën e Botës, me rezultatin 2-1 kundër Polonisë, tifozët e Senegalit dhuruan shfaqjen më të denjë për fansat e futbollit, duke qëndruar pas ndeshjes për të pastruar vetë rrëmujën që kishin bërë duke përjetuar emocionet e ndeshjes.

Teksa tifozët e Polonisë dolën jashtë stadiumit me neveri pasi humbën atë që dukej të ishte një ndeshje  e lehtë në Grupin H, tifozët e Senegalit bënë një përpjekje të vetëdijshme për të rregulluar mjedisin.

Veprimet e tyre morën shumë lëvdata në rrjetet sociale, pasi ata shfaqën aftësinë e tyre për të qenë të përulur dhe të dobishëm edhe në rast fitoreje. Një numër njerëzish duartrokitën tifozët për veprimet e tyre, duke pretenduar se ishte një shenjë e respektit që vendet e tjera duhet të përsërisnin.

Një tifoz i Nigerisë ka bërë shaka me kombëtaren e tij duke thënë: “@NGSuperEagles Nëse kjo do të sjellë fitore, fshini gjithë fushën e futbollit para ndeshjes”.

Megjithatë, senegalezët nuk ishin pala e vetme që pastruan, pasi edhe tifozët e Japonisë qëndruan pas fitores 2-1 ndaj Kolumbisë për të rregulluar stadiumin.