Për veteranët, përballjet e tyre pa pensione, fajet e komandantëve që fryen listat, e tash heshtin, për Nënat…!

30.10.2017 16:24:32

Koston e papërballueshme të shtetit, për kompensimin e siç thuhet 60 mijë veteranëve, shumica e tyre falsifikatorë, blerës të statusit me para, në këmbim të votës për akëcilën parti, duhet ta mendonin mirë pikërisht këta që e kanë shtuar këtë, e që sot janë në krye të institucioneve të vendit, pjesë e Qeverisë!

Jusuf BYTYÇI

Prishtinë, 30 tetor

Vetëm dy nga shumë Nënat e dëshmuara goxha heroina në Kosovë, Nëna e veprimtarit të shquar Salih Rexhaj dhe Nëna e kryeministrit Haradinaj, janë shkas për këtë shkrim-koment të kujtimit të peripecive të shumta të shqiptarëve si popull, dhe sidomos të nënave, grave-nuseve e motrave shqiptare, anë e kënd trojeve shqiptare.

Miku im, veprimtari Rexhaj, sot, në një postim të tij, kujton dy nga ngjarjet e 20 viteve të fundit, të peripecive të nënave shqiptare si tërësi!

Do kujtuar me respekt dhe do vlerësim pozitiv sa herë që flitet dhe shkruhet për kontributin e akëcilit njeri veprimtar, apo edhe bujk e bari qoftë, por që ka bërë shumë për popullin, në peridha të ndryshme, që tashmë kanë hyrë në historinë e popullit të Kosovës. Në këtë kontribut, nuk do anashkaluar absolutisht kontributin e nënës shqiptare, kontributin e pakontestueshëm të gruas-nuseve, motrave tona! Kontributi, sakrifica e madhe e prindërve-baballarëve, e nënave tona të dëshmuara edhe për qëndresë, guxim dhe trimëri, si rasti i nënës së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jasharit-Nënë Zahides, nënës së dy heronjëve Haradinaj etj., do vlerësuar kurdo dhe kudo! Këtu nuk ka mendjemadhësi!

Respekt për Nënën Haradinaj, respekt për të gjitha Nënat e dëshmuara të kombit, ato që sakrifikuan para, gjatë dhe pas luftës! Respekt për nënat që në mbrojtje të interesit madhor të popullit, janë sakrifikuar, qoftë me largim të padrejtë nga puna, pranim të një pune nënçmuese vetëm me qëllim që të mbajë fëmijët, (rasti  i gruas së Adem Demaçit) apo u kanë bërë ballë edhe më pasoja të tjera të rënda!

Për luftën çlirimtare të UÇK-së për peripecitë e nënave tona!

Gjatë luftës, së viteve 1998/99, dhjetëra mijëra banorë civilë, kryesisht gra me fëmijë, nëna e baballarë në moshë, vajza-nuse të reja, persona me aftësi të veçanta, të fshatrave e lokaliteteve të ndryshme të zonave të luftës në Kosovë, kishin gjetur strehë në lokalitetet e shumta të komunës së Malishevës, ndonëse edhe këtu kishte luftë dhe përballje me ikje, djegie shtëpishë-fshatrash dhe dëbime të dhunshme.

“Strehë-strehimore”, paksa më të sigurta për të zhvendosurit e komunave tjera, u bënë disa nga lokalitetet e komunës së Malishevës, Zona “më më sigurta”, qoftë edhe në përrocka, lugina e male pranë fshatrave, si Ngucati me rrethinë, pastaj Pagarusha, e  njohur si “Lugina e Pagarushës”, Gurishta, Karvansaria, Shkoza, Panorci-Rudi, Damaneku, Bubli, Gurbardhi, Turjaka etj.

Pavarësisht nga përballjet, shumica e nënave të këtyre lokaliteteve, nuk u gjunjëzuan, ato gatuan bukë, shtruan sofrat e solidaritetit për luftëtarët e lirisë, lanë rrobat e tyre edhe të gjakosura, bënë shumë për këtë Liri dhe Pavarësinë që po e gëzojmë sot.

Por, ku mbeti respekti i komandantëve e vartësve të tyre për Nënat që priten ata natë e mesnatë, ag e terr, që gatuan për ta natë e ditë, shtruan bukë , krip e zemër në sofra për ish-luftëtarë-atdhetarë?! Këso nëna të dëshmuara, edhe nuse-gra, motra, padyshim kishte shumë në të gjitha trevat dhe lokalitetet e Kosovës, në të gjitha Zonat e Luftës për Liri, në Pashtrik-Llapushë, Anadrini e Përdrini, në Dukagjin, Drenicë, Shalë-Bajgorë, Llap, Gollap, Nerodime, Anamoravë, kudo!

Mirëpo, fare pak nga ato, janë nderuar të paktën me ndonjë mirënjohje. Këtë e dëshmon lista e Komisionit Qeveritar për verifikimin statusit të veteranit dhe kategorive tjera të dala nga lufta e UÇK-së. Ajo rezultoi me pasaktësi të shumta sa i përket vlerësimit të kontributit faktik të atyre që ishin pjesë e pandashme e luftës.

Fatkeqësisht, komandantët e fuqishëm, interesgjinjë, të pandërgjegjshmit e të papërgjegjshmit, “harrestarët” bukëshkelësit, ua dhanë statusin e veteranes-veteraneve, të afërmve, mikeve të tyre, të cilat, nuk ishin ushtare, dhe ishin vendosur pikërisht në vendbanimet e cituara më lartë!

Mirënjohjet, statusi i veteraneve, injorimi i nënave heroina të gjalla!

Që ditët e para kur janë publikuar listat e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, familje, familjarë dhe qytetarë që ishin pjesë e luftës, kontributit faktik të përditshëm nga dita e parë dhe deri në fund të luftës, kanë shprehur mllefin e tyre të arsyeshëm se si është e mundur të shpallen veterane, ato, gra, nëna e motra-jo ushtare, që janë detyruar të braktisin vatrat e tyre për të gjetur strehë në familje, miqsh?!

Këtu, pra është defekti, i rritjes enorme të numrit të atyre që fituan statusin e veteranëve! Ata që e shtuan numrin e veteranëve, janë dikushi, ata kanë emra, mbiemra, kanë pozita të larta në shoqëri! Ata ishin vet eprorë-komandantë, të të gjitha niveleve, deri në komandantë Zonash, ata janë edhe sot në pozita të rëndësishme në institucione, nga kryetarë komunash, pjesë e Qeverisë, deputetë, anëtarë e kryesues të Komisioneve Parlamentare, drejtorë departamentesh, anëtarë të kryesivë të partive më të mëdha politike, thjeshtë janë njerëz të fuqishëm! Kjo kategori është fajtore kryesore e problemit me mungesën e parave për pensionet e veteranëve, ndonëse deputetët e të gjitha partive politike pjesë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kanë votuar jo njëherë ligjin për kompensimin ekategorive të dala nga lufta. Këta të fortit e sotëm në Institucionet e vendit, janë po ata që në përbërjen e kaluar të Kuvendit, votuan edhe ligjin për kategorizimin e kategorive të dala nga lufta, ligj që nuk gjeti zbatim, pikërish si pasojë e papërgjegjësisë së ish-komandantëve. Pavarësisht nga mospajtimet edhe në Kuvendin e Kosovës, u desh të gjej zbatimi Ligji për dallimin e atyre që luftuan nga fillimi e deri në fund të luftës, nga ata që për shkaqe të ndryshme ishin larguar nga lufta që në muajt e parë, ose të tjerë që ishin kyçur fare vonë në luftë, pjesë e mobilizimit pas fillimit te sulmeve ajrore të NATO-s ndaj caqeve-objektivave të forcave serbe në Kosovë e në Serbi!

Kush vallë na qenkësh fajtor për avazin e shtimit të numrit të veteranëve dhe krahas këtij, edhe kostos shumë më të lartë financiare që duhet për kompensimin e tyre?! Koston e papërballueshme të shtetit, për kompensimin e siç thuhet 60 mijë veteranëve, shumica e tyre falsifikatorë, blerës të statusit me para, në këmbim të votës për akëcilën parti, duhet ta mendonin mirë pikërisht këta që e kanë shtuar këtë, e që sot janë në krye të institucioneve të vendit, pjesë e Qeverisë! Të tillët bashkë me satellitët e tyre, ndikuan edhe në rrezimin e Qeverise paraprake. Athua menduan këta për zgjidhje të problemeve, apo vetëm për zgjedhje të parakohshme?

Këta, së paku nuk kanë të drejtë të kërkojnë përgjegjësi nga dikushi që nuk ka pikë faji!

E Qeveria, më megalomanja për nga numri i ministrave, zëvendëskryeminstrave, zëvendësministrave e stafit tjetër, qeveritarët, që nuk po dëshmojnë kursim parash të taksapaguesve, përkundrazi, po dëshmohen të padenjë për të vendosur për të drejtën e kategorisë së veteranëve më të ndërgjegjshëm, sidomos të atyre që nuk kanë asnjë punë dhe kompensim tjetër material për jetesë!

Karshi kësaj gjendje, deputetët edhe ata me dhjetëra vota e vota të dyshimta, pothuaj pa punuar asgjë të vlefshme, marrin rregullisht paga të larta, kompensime mëditjesh për “punën e shtuar”, për udhëtime, beneficione etj. Beneficione, po përfitojnë edhe zyrtarët tjerë të Qeverisë, që në fillim, me telefona-ifona të shtrenjtë, pavarësisht se veteranët nuk janë kompensuar që nga 25 korriku! Valle, kush tjetër mund të duronte kaq, pos kategorisë më të varfër, ani se ka sakrifikuar shumë për këtë vend, për këtë Liri e Shtet, pasurinë e të cilit po e keqpërdorin pikërisht të fortit që si duket, nuk kanë frikë dhe fare marre nga askushi?!