Përçahen republikanët, Dhoma e Përfaqësuesve voton pro ngritjes së akuzave për shkarkimin e Trump

14.01.2021 00:12:50

Demokratët në SHBA duket se kanë fituar betejën e parë, pasi Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit votoi për ngritjen zyrtarisht të akuzave për shkarkimin e Presidentit Donald Trump.

Sipas mediave, kjo është hera e parë në historinë e SHBA që ndaj një presidenti ngrihen dy herë akuza për shkarkim gjatë mandatit të tij.

Demokratët kaluan pragun për votat e nevojshme që duhen për ngritjen e akuzave ndaj presidentit Donald Trump, me disa vota nga kampi i republikanëve.

Rezoluta për ngritjen e akuzave u miratua me 232 vota pro dhe 197 kundër.

Dhjetë republikanë u bashkuan me demokratët dhe votuan për të miratuar nenin e vetëm të fajësimit, i cili akuzon Trump për nxitje të dhunës kundër të njëjtës qeveri federale që ai drejton.

Nuk është e qartë nëse udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuesve do t’i dërgojnë menjëherë akuzat për shqyrtim në Senat, duke pasur parasysh se mandati i zotit Trump përfundon javën e ardhshme. Edhe nëse zoti Trump do të largohej nga detyra, një vendim i Senatit pro akuzave pas përfundimit të mandatit, do ta ndalonte atë të kandidonte për një post zyrtar në qeverinë federale në të ardhmen