Përçahet edhe Lëvizja BESA, kryesia shkarkon kryetarin

07.01.2018 22:58:50

Pas Vetëvendosjes në Kosovë është përçarë edhe Lëvizja BESA në Maqedoni.

Kryesia ka shkarkuar kryetarin Bilal Kasami, për shkak të rezultatit në zgjedhjet lokale, ndërsa ai vetë e cilëson një vendim të paligjshëm.

BESA lindi si lëvizje nga zhgënjimi me partitë tradicionale shqiptare në Maqedoni, por që nuk i rezistoi përplasjeve.

“Këshilli Qendror ka shkelur me çdo veprim të tij statutin, e kanë dëmtuar Lëvizjen BESA”, deklaroi Kasami, “pjesëtarët e tij kanë hyrë në mënyre të paligjshme në selinë në Shkup ashtu siç hakeruan edhe faqen time personale si dhe atë të Lëvizjes”.

Në mbledhjen e këshillit, ishte diskutuar ndër të tjera përgjegjësia e liderit të BESA-s për zgjedhjet lokale dhe shkelja e statutit të partisë.
Në krahun e Kasamit janë rreshtuar dy deputetë të tjerë, Fadil Zendeli dhe Teuta Bilalli.

Anën e kryetarit të ri Nexhbedin Kahremani e mbajnë dy ligjvënës të tjerë, bashkëthemeluesi Afrim Gashi dhe Rexhep Memedi.

Sipas mediave vendase, me këtë lëvizje goditet rëndë grupi parlamentar i kësaj lëvizjeje. Përçarja e krerëve të BESA-s, thonë ata, është përjetuar rendë tek elektorati i saj.

Lëvizja BESA, një forcë mjaft e re politike u krijua në 2014-tën, si vullnet i një grupi të pakënaqur me përfaqësimin që po u bëhej shqiptarëve në skenën politike të Maqedonisë.