Përdhunimi që nuk ka ndodhur në Lituani: Lajmet e rreme dhe lufta...

Përdhunimi që nuk ka ndodhur në Lituani: Lajmet e rreme dhe lufta speciale e Putinit kundër Gjermanisë dhe shteteve baltike

17.02.2017 18:48:07

Kundër trupave të Bundeswehrit të vendosura në Lituani, ka nisur një fushatë e gënjeshtrave, thonë nga Ministria gjermane e Mbrojtjes. Ndërkaq, Spiegel Online, duke iu referuar diplomatëve të NATO-s, raporton se pas kësaj fushate qëndron Rusia.

“Nëpërmjet postës elektronike, dërguar politikanëve dhe mediave, në Lituani po përhapen fjalët se ushtarët gjermanë në këtë shtet e kanë përdhunuar një të mitur”, raporton Spiegel.

Ministria gjermane e Mbrojtjes nuk ka dashur të komentojë burimin e mundshëm të gënjeshtrës, por NATO dyshon se trillimi vjen nga Rusia

“Është provokim rus kundër stacionimin të trupave të NATO-s në shtetet baltike”, thotë burimi.

Ky stacionim është kundërpërgjigje e NATO-s ndaj agresionit rus në Ukrainë dhe pushtimit të Krimesë.

Spiegel shkruan se shumë politikanëve në Lituani u ka shkuar letra, ku në “detaje” shpjegohet “përdhunimi i të miturës” që gjoja ka ndodhur më 9 shkurt në Jonava. Këtë gënjeshtër madje e kanë publikuar shumë media lituaneze. Por, kjo është demantuar nga Qeveria e këtij shteti, si diçka që nuk ka ndodhur.

Qeveria gjermane ka kohë që akuzon Kremlinin për përhapje të dezinformatave për qëllime politike. Këtë herë gënjeshtra ngjan me atë të vitit 2015 kur mediat ruse “raportojnë” se refugjatët në Berlin kanë përdhunuar një të mitur me origjinë ruse dhe se gjoja autoritetet gjermane po e fshehin këtë krim. Edhe pse lajmi është demantuar, pra se përdhunim nuk kishte, mijëra gjermanë me origjinë ruse kanë protestuar kundër refugjatëve dhe politikës së kancelares Angela Merkel.