Përdorimi i “Kumanovës” nga sllavo-ortodoksët dhe nga një pjesë e politikës shqiptare për të penguar miratimin e Gjykatës speciale

22.12.2016 16:42:35

1

Më në fund, duhet të thuhet troç: Kumanova u përdor si nga sllavo-ortodoksët, ashtu edhe nga pjesë të politikës shqiptare. Është e qartë se në aspektin strategjik, gjeopolitik e gjeostrategjik, sllavo-ortodoksët janë të interesuar për destabilizimin e rajonit dhe për të fajësuar shqiptarët si faktor destabiliteti në rajon dhe që po synokan krijimin e “Shqipërisë së madhe”! U zgjodh Kumanova, sepse është afër kufirit me Kosovën lindore dhe me mundësi që konflikti të bartet edhe atje. Dhe u zgjodh pikërisht në këtë kohë, sepse Serbia gjendet përballë trysnive për të shpërbërë “Mbrojtjen civile” në veri të Kosovës, të lirojë Urën e Ibrit, të tërheqë pushtetin e saj në komunat me shumicë serbe, të zbatojë marrëveshjet e Brukselit, e mbi të gjitha të pranojë marrëveshje të tilla që janë të papranueshme për konceptin pushtetëzues dhe për synimet që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive. Pra, Serbia do që nëpërmjet destabilizimit të Maqedonisë, ta destabilizojë edhe Kosovën. Me identifikimin e lidhjeve të individëve me AAK-në dhe jo vetëm, sllavo-ortodoksët kanë mundësi ta akuzojnë Kosovën si faktor destabiliteti në rajon dhe këtë ta përdorin si argument kundër shqiptarëve, si dhe në funksion të interesave të tyre në rajon. Në nivelin lokal, nuk dua të përsëris ato që janë thënë lidhur me interesin e Gruevskit për të shpëtuar veten nga reagimet kolektive të qytetarëve kundër tij dhe qeverisë së tij dhe atë reagim ta drejtojë kundër shqiptarëve. Mirëpo, ajo që duhet përsëritur, është fakti se Serbia nuk është e interesuar që të miratohet Gjykata speciale nga Kuvendi i Kosovës, por nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Dhe për të mos u miratuar nga Kuvendi i Kosovës, Serbia ka bërë gjithçka për ta destabilizuar Kosovën dhe për ta rrëzuar qeverinë e Kosovës. Dështimi për ta bërë këtë ka ardhur për shkak të zotësisë së kryeministrit Mustafa dhe trysnisë ndërkombëtare. Dhe eksperimenti është bartur në Kumanovë për arsyet që i përmenda më lartë. Po pse Serbia nuk do miratimin e Gjykatës speciale nga Kuvendi i Kosovës? Për qejfin e saj, Serbia do donte që ta miratonte Kuvendi i Serbisë, por në pamundësi për miratuar vetë, ajo do që të mos e miratojë as Kuvendi i Kosovës. Por kjo nuk është arsyeja kryesore: arsyeja kryesore pse Serbia nuk do që Gjykatën speciale ta miratojë Kuvendi i Kosovës ka të bëjë me faktin se nëse miratohet nga Kuvendi i Kosovës, rritet subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës. Kjo për faktin se marrëveshja për themelimin e Gjykatës speciale bëhet ndërmjet Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, dhe Kuvendi e qeveria e Kosovës bëhen pjesë e kësaj marrëveshjeje. Nëpërmjet kësaj marrëveshje, institucionet tina di të mund të ndikonin sadopak në përmbajtjen e saj, ose së paku për të penguar ndikimin e Rusisë në përmbajtjen e saj. Po ashtu, me miratimin e Gjykatës speciale nga Kuvendi Kosovës, qoftë edhe formalisht, e bën pjesë të sistemit të drejtësisë së Kosovës dhe që bazohet në bazën ligjore të Kosovës. Në anën tjetër, miratimi i Gjykatës speciale nga OKB, do ta bënte pjesë të drejtësisë ndërkombëtare, sikurse Gjykata e Hagës për ish-Jugosllavinë. Miratimi i Gjykatës speciale nga OKB, do të bëhej nëpërmjet një rezolute obligative, sikurse rezoluta 1244. Po ashtu, miratimi iGjykatës speciale nga OKB ijep mundësi Rusisë të ndikojë në përmbajtjen e dokumentit mbi të cilin do të funksiononte ajo Gjykatë.

2

Çështja e Gjykatës speciale, duket se është një nga arsyet që ka shtyrë edhe një pjesë të politikës në Kosovë të përfshihet në eksperimente të tilla si Kumanova. Ka disa ditë që kam aluduar në Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn etj., dhe e kam bërë këtë për të nënkuptuar përfshirjen e tyre në zhvillimet në Maqedoni. Duhet të jetë e qartë se çështja e Gjykatës speciale ka futur përçarje brenda PDK-së, dhe vetë Hashim Thaçi është në pozitë të vështirë edhe përball pakënaqësive të brendshme, por edhe përball faktorit ndërkombëtar. Hashim Thaçi e di se Gjykata speciale do të ngrejë padi ndaj ndonjë personaliteti të fuqishëm qoftë brenda partisë së tij, qoftë edhe jashtë saj. E njëjta situatë është edhe me Ramush Haradinajn, Albin Kurtin e Fatmir Limajt. Kundërshtimi i tyre për Gjykatën speciale lidhje nuk ka me arsyet që i deklarojnë, por me arsye të natyrës personale dhe partiake. Duke kundërshtuar Gjykatën speciale, këta kujtojnë se mbrojnë veten dhe shokët e tyre. Po ashtu, duan ta shfrytëzojnë edhe për luftën e tyre për rrëzimin e qeverisë. Edhe individë dhe klane brenda LDK-së të lidhura me ish-strukturat e FARK-ut kanë hallin e njëjtë, pasi në këtë mënyrë kujtojnë se mbrojnë ndonjë ish-komandant nga akuzat eventuale që mund të ngrejë Gjykata speciale. Prandaj, edhe këta janë të interesuar që të rrëzohet qeveria aktuale. Përveç kësaj, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj etj., janë duke përdorur këta njerëz brenda dhe rreth LDK-së për ta destabilizuar atë dhe për të hapur rrugën për rënien e qeverisë. Të gjithë këta janë të interesuar për rënien e qeverisë dhe për t’i ikur edhe problemeve të brendshme politiko-partiake, por edhe trysnisë ndërkombëtare, këta kanë synuar dhe synojnë rajonalizimin e problemeve personale politike. Në fakt rajonalizimi i problemeve personale politike, përveç si përpjekje për destabilizim, është edhe një përpjekje e dëshpëruar për ta rifaktorizuar veten në skenën politike në Kosovë dhe rajon. Në kushtet kur në Kosovë AAK, sekta okulte e Albinit dhe Nisma e Limajt kanë një braktisje të madhe, por edhe një trysni të madhe ndërkombëtare për Gjykatën speciale, përpjekja për rajonalizimin e problemeve politike, si dhe përdorimi i pozitës së shqiptarëve në territoret e tyre në Maqedoni si argument patriotik për të rritur mbështetjen e qytetarëve në Kosovë, por edhe përball bashkësisë ndërkombëtare të tregojnë protagonizëm dhe forcë politike dhe ushtarake në rajon, shihet si një mundësi e mirë nga ata.