Përfaqësuesit e koalicionit qeveritar as në tokë, as në qiell, thotë Bajram Gecaj

19.12.2017 18:34:14

Gjendja në dialogun e Kosovës me Serbinë ka shtyrë Grupin për Studime Juridike dhe Politike të organizojë një tryezë të rrumbullakët për të diskutuar për këtë çështje.

Bajram Gecaj, i cili në Qeverinë “Mustafa” ishte zëvendësministër i Pushtetit Lokal, ka përcjellë përshtypjet për këtë tryezë, duke theksuar qasjen surealiste të Konjufcës së VV-së, që nuk deklarohej kundër dialogut me Serbinë, por që ky dialog të zhvillohej brenda kornizës së Pakos së Ahtisarit; vazhdimësinë e qasjes opozitare të AAK-së dhe Nismës si në kohën e opozitës së bashkuar, duke mbështetur qasjen e Konjufcës, si dhe qasjen e paraqitur nga shefi i grupit kuvendor të LDK-së, Abdullah Hoti që ishte një qasje realiste dhe racionaliste që u bë bosht i diskutimeve.

Ky është postimi i plotë i z. Gecaj:

QEVERI “AS NË TOKË E AS NË QIELL”

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) organizoi sot një tryezë të diskutimit me temë, “Në kërkim të një konsensusi: Cili duhet të jetë Formati i Ri i Dialogut?”. Nga prezantimet e sotme të shefave të grupeve parlamentare të LDK, LVV, AAK dhe NISMA-s fitohej përshtypja se para të pranishmëve kishim ekskluzivisht përfaqësuesit e opozitës. Glauk Konjufca, si zakonisht kritik dhe sureal, na nxori sot një qëndrim të ri, të “paimagjinueshëm” deri më tani, se Kosova duhej të insistonte të mbahej brenda kornizave të Pakos së Ahtisarit, edhe pse këtë e kishin kundërshtuar dhunshëm në të kaluarën. Këtë qëndrim më-pastaj e sforcuan, si në kohën e “opozitës së bashkuar”, edhe Ahmet Isufi e Bilall Sherifi, të cilët dukej sheshazi se nuk kishin arrit ende të dalin nga lëkura e opozitarizmit. Ishin propozimet e Avdullah Hotit të cilat kishin një bazë reale e racionale, dhe që u shndërruan në bosht të diskutimeve të mëtutjeshme. Në këtë tryezë, u bë po ashtu e qartë se përfaqësuesit e koalicionit qeverisës nuk ishin “as në tokë e as në qiell”, dhe fitohej përshtypja se pritnin që punët e mëdha t’ua kryej dikush tjetër përmes shkopit magjik!