Përfaqësuesve politik të të gjitha partive politike që po garojnë për të qeverisur vendin!

11.09.2019 23:07:37

Nga: Dije Lohaj

Të nderuar përfaqësues të partive politike që po garoni në këto zgjedhje për të qeverisur vendin për katër vjetët në ardhje.
Jo fort larg institucionit që po pretendoni të qeverisni në të ardhmen, ku do të hyni e dilni përditë, për të bërë punën tuaj, nja 100 metra prej jush, gjendet shkolla e mesme e ultë “Gjon Serreçi”, me afro 3000 nxënës, të cilët çdo ditë presin e besojnë ndryshimin e gjendjes infrastrukturore të shkollës ku mësojnë.
Nëse institucionet përkatëse ferizajase nuk kanë mundësi për t’i realizuar këto që thamë më sipër, atëherë, le të kërkojnë përkrahjen nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë, sepse këta nxënës nuk janë vetëm të Ferizajt, por të krejt Republikës së Kosovës, ku ka të bëj me jetën, të drejtën dhe arsim-edukimin e afro 3000 fëmijëve, të 3000 shpirtrave të ardhmërisë së shtetit dhe të shoqërisë sonë.
Çdo ditë kur hyjmë në klasë, na shohin me sytë e tyre të pafajshëm dhe sikur na pyesin në heshtje: edhe këtë vit kështu do ta zhvillojmë mësimin në këto klasa?! Me këto tabela që mezi shkruajmë e mezi shikojmë?! Në këto korridore, që mezi kalojmë nga kundërmimi?!
Dhe besoni se ka klasë ku jemi të detyruar të vendosim 2 ose 3 kova, se pikojnë tavnët, pastaj toaletet janë pothuajse jashtë funksionit, ku me gjithë këto kushte, nxënësit kanë vazhduar mësimin, duke bërë sikur s’po ndodh asgjë!
Në këtë kohë moderne, ku informatika po e bën punën e vet metodiko-shkencore në zhvillimin e proceseve edukatiko -arsimore, ne mësojmë në klasë ku tavanet pikojnë, shkrimi në tabelë nuk lexohet, ku kundërmojnë korridoret e muret e mykura, në të cilat nxënësit, jo vetëm që nuk mund t’i nxënë mësimet, por as të koncentrohen për mësimnxënie. Dhe si rrjedhoje e kësaj shumë nxënës e mësindhënës vuajnë nga alergjia…Enët në klasë, të çojnë mallin si të ndonjë “laboratori” të improvizuar, ku është bërë përditshmëri, sepse ka kohë që të njëjtat gjëra janë përsëritur sa e sa herë…
Në ditët e acarta, këmbët e tyre ngrinë nga të ftohtit, e fytyrat u shndërrohet në ngjyrë vjollcë dhe pastaj fillon avazi i vjetër, i shkurtimi i orëve dhe përballja e përditshme me mungesë të ujit, e si rrjedhojë e kësaj, nuk mund të pretendojmë as pastërtinë.
Të nderuat kanditat të të gjitha partive politike viteve të fundit, mbahen shumë seminare, e aktivitete nga të rriturit, për të drejtat e fëmijëve, por harrojnë që të drejtat e tyre, nuk respektohen vetëm pse hidhen në letër disa rreshta, por në radhë të parë, fëmijët kanë të drejtë të mësojnë në shkollë, që i motivon ata, të japin edhe më shumë nga vetja. Përvoja flet, se fëmijët me pafajësinë e tyre, na mësojnë çdo ditë dhe na bëjnë t’i hapim sytë nga ato imtësira që ne të rriturit nuk i vëmë re! E kemi obligim të kujdesemi për tê ardhmen tonê, e ajo është e sigurt, vetëm nëse kujdesemi për arsimimin e fëmijëve!
Pavarësisht, kësaj gjendje, prapë nxënësit e shkollës sonë, falë edhe angazhimit me këto vështirësi tê mësimdhënësve, ata kané arritur suksese në fusha të arteve, sporteve e të shkencës të jenē kampion në gara komunale e shtetërore! Meqë deri më tani nuk është kthyer asnjë përgjigje zyrtare, se çfarë do të ndodh me fatin e nxënësve tanë, ne kemi të drejtê të hamendësojmë dhe të bazohemi në fjalë të dëgjuara, se në vitin tjetër do të kalojmë në ndërtesën e gjimnazit, por ne e dimë që as ajo nuk plotëson kushtet aq sa duhet.
Pavarësisht, qê viteve të fundit jemi përballur me situata të vështira dhe gjithmonë ne, mësimdhënësit e kësaj shkolle jemi “akuzuar”, por neve nuk na është lënë e drejta e vendimmarrjes dhe kështu jemi detyruar të kapërcejmë, duke u përpjekur të mbajmë orët mësimore në këto rrethana. Por, megjithatë, nga kjo shkollë kanë dalë shumë personalitete të qytetit tonë, e madje ju garantojmë se në ato banka, edhe tani që po shkruajmë janë ulur, artistë, sportistë, shkencëtarë, doktorë, politikanë të së ardhmes sonë, nga të cilët presim ditë më tê ndritura!
Andaj, asgjë më shumë, kërkojmë vetëm të drejtën e këtyre fëmijëve, që mos t’u mbesim borxh!
Me respekt nga Dije Lohaj, mësimdhënëse e shkollës së mesme të ultë “Gjon Serreçi” në Ferizaj!