Përgjimet kundër Zaev dolen në 5-vjetorin e kurthit të Kumanovës

10.05.2020 01:00:02

Në Maqedoninë e Veriut është rikthyer beteja e përgjimeve, në një kohë që vendi po përballet me pandeminë e koronavirusit.

Lufta politike mes VMRO-DPMNE, partisë së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, dhe LSDM-së së Zoran Zaev është ndezur së fundmi, ndërkohë që vendi pret të shkojë në zgjedhje.

Historia e përgjimeve nisi 5 vjet më parë, ku Zoran Zaev, asokohë në opozitë publikoi disa video ku tregoheshin pazaret dhe manipulimet me pushtetin të Gruevskit. Për të larguar vëmendjen nga skandalet që kishin dalë sheshi, Grueveski  tentoi të krijonte incident me shqiptarët, ku mitroloz dhe artileri e rëndë u derdh në lagjen e trimave në Kumanovë, ku ishin strehuar rreth 50 ish-ushtarë të UÇK-së.

Incidenti i rëndë për pak desh ndezi një luftë të fortë ndëretnike, ndërsa shqiptarët e Kumanovës dyshohet se u futen në kurth nga strukturat e Shërbimeve Sekretë të qeverisë së asaj kohe.

Skandali i përgjimeve dhe përplasja e thellë ndëretnike solli edhe fundit e Gruevskit dhe ardhjen në pushtet të Zoran Zaev, një lider i moderuar dhe që gjeti mbështetjen e shqiptarëve.

Por fiks pesë vjen nga përplasja e Kumanovës, VMRO-DPMNE po tenton të përdorë strategjinë e opozitës që e rrëzoi nga pushteti. Partia e Gruevskit, ish-kryeministrit të arratisur, publikoi disa përgjime ku supozohet se është i përfshirë Zoran Zaev. Po pse pikërisht në 5 vjetorin e përplasjes së Kumanovës?

Të martën, emisioni  Top Story në Top Channel do të sjellë detaje të panjohura për përplasjen në Kumanovë dhe gjithçka që ndodhi në lagjen e trimave, përmes një dokumentari.