Përgjimet/ PS s’distancohet nga Dako, ja si e mbron Lleshaj në Gjermani

06.06.2019 13:50:56

Një qetësi olimpike është vërejtur në kampin e majtë pas publikimit të 6 audiopërgjimeve nga gazeta gjerman BILD, që implikojnë Vangjush Dakon në lidhje me Astrit Avdylajn dhe grupin e tij kriminal.

Teksa përgjimet “hodhën në erë” aktivitetin e gjithë shtabit të PS në Durrës për zgjedhjet e 2017-ës, kryeministri Edi Rama i mbajti larg mediat dje në Korçë, ndërsa Taulant Balla në një prononcim për DË e mbrojti Dakon duke thënë se përgjimet nuk do të thonë se ai është kriminel.

I radhës që ka reaguar i pashqetësuar për përgjimet është ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, që po ashtu nuk ka shfaqur asnjë shenjë distancimi nga Vangjush Dako.

Edhe ai në një intervistë për ‘DW’ thotë se përgjimet nuk janë prova, tezë kjo e mbrojtur nga vetë Dako dhe Edi Rama në çdo intervistë kur janë pyetur mbi Dosjen 339 dhe lidhjen me Avdylajt.

“Përgjimet nuk janë prova, janë indicie që të çojnë te provat”, shprehet Lleshaj.

Ndërkohë, Lleshaj thotë se kjo çështje është nën hetim dhe duhet të pritet rezultati.

“Unë nuk besoj se një publikim i tillë prish imazhin e Shqipërisë. Besoj se çështja duhet të merret me qetësinë e duhur sepse bëhet fjalë për një çështje që është në proces hetimor. Kjo është thjesht një rrjedhje pa autorizim nga një proces hetimor në zhvillim. Duhet të presim fundin. Nuk duhet të kërcejmë te konkluzionet shumë herët sepse besoj se i bëjmë keq procesit. Unë mendoj se ajo që është publikuar në mediat gjermane është pjesë e një dosje hetimore që po zhvillohet”, ka thënë ministri.