Perikli Jorgoni, dhe Dora, gruaja që dashuroi Franc Kafka

11.12.2017 20:46:23

Perikli Jorgoni, shqipëruesi dhe poeti i njohur do të kujtohet nesër më 12 dhjetor ora 17 00, në Kafe-Bar Luksi, prapa Bibliotekës Kombëtare, në një mbrëmje organizuar nga Qendra Shqiptare e Studimeve Letrare “Pjetër Budi”, në pesë vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

Pikërisht në vëndin e preferuar të Jorgonit, ku ndante biseda mbi letërsinë me miqtë, ai do të vijë përmes kujtimeve dhe rrëfimeve për librat që la pas. Libri të cilin Jorgoni la në dorëshkrim ishte një përkthim mbi dashurinë e fundit të Franc Kafkës, me një hebreje nga Polonia.

Ky përkthim e kishte përfshirë të gjithin Jorgonin në vitet e fundit të jetës. “Dashuria e fundit e Franc Kafkës”, hedh dritë mbi gruan që i rrëmbeu zemrën Kafkës dhe i mbajti ndezur zjarrin e krijimtarisë letrare për shumë vite. Kjo ishte Dora Diamanti, shpirt i pavarur që u largua nga familja e saj polake me origjinë hebreje për të ndjekur ëndrrën sioniste, dhe i mbushi mendjen Kafkën të largohej nga prindërit e të shkonte të jetonte bashkë me të në Berlin vitin e fundit të jetës së tij.

“Dashuria e fundit e Kafkës” nxjerr në dritë tipin e ‘bashkëshortes” që, njësoj si Vera Nabokov apo Nora Xhojs, është njëherësh edhe një grua e shkëlqyer dhe e veçantë. Për shkak të njohurive të mira të gjuhës dhe traditave hebreje, ajo i dukej Kafkës si një person që mund të ngjallte brenda tij atë fe të cilën familja e tij nuk e praktikonte më. Autorja përshkruan me hollësi vitin që jetuan dy të dashuruarit së bashku në Berlin, por më interesant është rrëfimi i Dorës dhe familjes së saj të madhe pas vdekjes së Kafkës në vitin 1924.

Aty tregohen përpjekjet e një gruaje për ta mbajtur gjallë flakën e Kafkës, pavarësisht largimit, luftës e trysnive politike. Shumë të afërm të saj vdiqën gjatë Holokaustit. Thesari i saj i çmuar, ditarët e Kafkës, u morën nga Gestapoja dhe nuk u gjetën më kurrë. Për 15 vjet me radhë burri i saj, pasi kaloi mjaft vite në burgjet naziste dhe gulaget sovjetike, jetoi në Berlinin Lindor, pa e ditur që Dora dhe vajza e tyre i mbijetuan luftës.

Historia vazhdon me pasazhe nga Moska, Londra, San Franciskoja dhe Tel Avivi, pikat e largëta ku u shpërnda familja pas stuhisë fashiste, komuniste dhe Holokaustit. Libri shoqërohet edhe me mjaft fotografi. Autorja Diamant e shkroi këtë libër pasi një profesor letërsie e pyeti nëse kishte lidhje me Dora Diamantin, të dashurën e fundit të Kafkës. Aktualisht drejtore e Projektit Kafka në Universitetin San Diego, Kathi nisi një kërkim këmbëngulës për të bërë së bashku pjesët e historisë së veçantë të Dorës dhe marrëdhënies së saj me shkrimtarin gjerman.

Përveçse dashuria e fundit e shkrimtarit Dora Diamant është dhe gruaja që “guxoi” t’u vinte flakën dorëshkrimeve të ti, sepse siç shkruan autorja Kethi Diamant “Dora nuk e kishte dashuruar Francin si shkrimtar, po si njeri, si qenie njerëzore. Franci nuk kishte folur kurrë me të për veprat e tij të hershme dhe ajo nuk e kishte pyetur. Përse duhej ta pyeste? Dora besonte se këto vepra nuk ishin përfunduar dhe më të shumtat ishin vetëm një eksperiment i dështuar”.

Dora e dogji veprën e Francit, kur ata jetonin në Zehlendorf. Ky veprim ishte një akt dashurie, për të cilin ajo më vonë e qorton dhe e kritikon veten. “Unë isha mjaft e re atëherë, – shpjegon Dora më vonë. Dhe të rinjtë jetojnë vetëm për të tashmen dhe ndoshta dhe për të ardhmen. Për Francin, vetë e gjitha kjo nuk ishte asgjë tjetër, veç vetëçlirim. Ai ishte pushtuar nga kjo ide dhe kjo ide i ishte ngulitur thellë në mendje. Ai dëshironte të digjte gjithçka që kishte shkruar, për ta çliruar shpirtin nga këta lugetër. Unë iu binda dëshirës së tij dhe, kur dergjej i shtrirë, i vura zjarrin para syve”.

Kur Franci dergjej, duke vështruar nga shtrati, Dora ndezi shkrepësen dhe ia afroi fletëve që kishte hedhur në një legen, ato morën flakë. “Ato që do të shkruante, do t’i shkruante më vonë, pasi të fitonte lirinë”, – i tha Franci. Ata vështruan flakëzat e zjarrit që ngrohën për një çast ajrin.

Franci e ndjeu veten të lehtësuar, vetëm atëherë kur nga ato fletë kishte mbetur vetëm hiri. Sipas biografit të Franc Kafkës, Ronald Hajman, Dora duhet të ketë djegur faqet e fundit që mungojnë të tregimit “Strofka”. Ai na thotë se Dora “nën udhëzimet e praninë e Francit, ka djegur mjaft nga dorëshkrimet, ndër to kishte dhe një dramë e një tregim për një proces gjyqësor në Odesa për një vrasje”.

Por Dora nuk kishte djegur gjithçka. Ajo nuk kishte djegur mjaft nga blloqet e shënimeve që përmbanin ditarët e fundit, të cilat Franci i kishte shkruar gjatë shëtitjeve në Berlin. Këto ditarë ajo i hoqi mënjanë, por pa kuptuar vlerën e tyre të ardhshme letrare. Kjo nuk e shqetësonte atë aspak. Ajo që Dora vërente e çmonte, ishte si ndihej Franci, pasi ishte kryer djegia e dorëshkrimeve.

“Në fund të fundit, – i tha Franci asaj , – ajo që kam shkruar është hiri i një përvoje”. Askush nuk e di me siguri se kur Franc Kafka i propozoi Dorës, por ajo ishte dita më e gëzuar e atij fund prilli (të vitit 1924). Me nxitjen e miratimit të saj, Franci vendosi t’i shkruajë babait të saj në Bedzin, për të marrë pëlqimin e tij. Për Dorën, pëlqimi apo akti zyrtar i martesës nuk kishin ndonjë rëndësi të veçantë. Ajo ishte e çliruar nga këto konvencione, ajo nuk do të tërhiqej nëse nuk merrte pëlqimin e të atit të saj.

Por, për Francin, i cili dëshironte që çdo gjë të bëhej me korrektesën më të madhe, kërkesa për të marrë pëlqimin e babait të saj ishte një formalitet, të cilit nuk mund t’i bënte bisht. Me letrën e tij të shkruar me mprehtësi e kujdes, Franci i pohonte dashurinë për Dorën dhe dëshirën për t’u martuar me të. Ai theksonte se “megjithëse nuk ishte një Hebre aq besimtar sa i ati i saj, ai ishte i penduar për këtë dhe dëshironte të jetë po kaq besimtar”. Ai shpresonte se do të pranohej në familjen e një njeriu kaq fetar si i ati i saj…

Kur babai i Dorës mori letrën e Dr. Franc Kafkës, Hersheli e dinte si duhej vepruar. Ai dërgoi njërin prej djemve, Abrahamin ose Arjenin (të cilët ishin si i ati i tyre mjaft besimtarë) tek Geri. Vetëm Gerer Rebi mund të jepte një përgjigje për këtë kërkesë, që s’mund të merrej parasysh. Dhe kur i dashuri Mordehai Alter e lexoi letrën e Francit, ky rabin çudibërës tha vetëm një fjalë: “Jo!” .Franc Kafka i përket listës së gjatë të shkrimtarëve të mëdhenj që nuk e kanë fituar Nobel-in, por siç zbulohet nga kujtimet që sillen në librin e Kethi Diamant duket se shkrimtari ka patur një lloj keqardhjeje për këtë.

“Mjekët e kishin urdhëruar Francin të mos fliste. Ai merrej vesh me të tjerët me anën e pantonimës e të gjesteve dhe të mesazheve të shkurtra të shkruara me nxitim. Afërsisht 100 nga këto mendime të Francit i shpëtuan harrimit të kohës dhe u botuan më vonë me titullin “Copëza Bisedash”. Këto copëza bisedash dëshmojnë për ndjesinë e humorit, për dashurinë për natyrën dhe ndjeshmërinë ndaj të tjerëve, këto veti i ruajti gjer në çastin e fundit, me gjithë dhimbjen e agonisë e vuajtjet. “A është dëmtuar fyti im kaq shumë, sa të mos mundem të mos më shërbejë për asgjë?” – pyeti Franci.

“E kam të vështirë të pështyj pa zor e të më qetësohen dhimbjet në mëngjes. Kur jam i trullosur, më shkrep në mendje mendimi se për cilësinë e lirshmërinë në të shkruar më takon në njëfarë mënyre Çmimi Nobel”.