Periodizimi i zhvillimit të arsimit shqiptar gjatë shekujve

09.03.2019 20:02:52

Nga prof. Isak Shema
Historia e zhvillimit të arsimit kombëtar shqiptar përfshin tërësinë e veprimtarive dhe të arritjeve në fushën arsimore dhe edukative të popullit shqiptar. Duke studiuar ecuritë e zhvillimit historik të arsimi dhe edukimit, të procesit të hapjesës së shkollave shqipe, të fillimeve dhe të vazhdimësisë të arsimit shqiptar sipas kronologjisë, janë ndriçuar disa nga çështjet kryesore të zhvillimit të arsimit gjatë shekujve të kaluar dhe sidomos ato të sistemeve arsimore gjatë shekullit XX. Në aspektin metodologjik të studimit shkencor , duke u bazuar në kritere të qëndrueshme dhe në veçori të caktuara, janë ndriçuar proceset dhe problemet e zhvillimit të arsimit dhe të edukimit sipas periudhave dhe fazava kohore . Arsimi dhe edukimi prore kanë ndikuar në rrjedhat e zhvillimit perspektiv të njerëzimit, duke shënuar në vazhdimësi nivel të ri. Për të sendërtuar këtë vizion, janë angazhuar shumë breza, për të cilët shprehim mirënjohjen më të thellë. Ne përkujtojmë me nderim dhe krenari të gjithë pishtarët e arsimit, të kulturës dhe shkencës shqiptare, të cilët në saje të idealeve kombëtare, liridashëse dhe iluministe, me punë të përkushtuar, me shumë sakrifica, kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm dhe të çmuar. Shumë prej tyre janë flijuar në altarin e lirisë së atdheut, për pavarësi kombëtare, për emancipimin arsimor, kulturor dhe shkencor të popullit shqiptar. Ata kontribuan të shkëlqejë drita e jetës, e mendjes dhe e shpirtit të njeriut. Brezat e tjerë, pra edhe këta të shekullit të ri, sot vazhdojnë të realizojnë misionin dhe vizionin bashkëkohor të diturisë. Historia e zhvillimit të arsimit dhe të shkollës shqipe përfshin dy mijëvjeçarë të kaluar. Tani është i hapur mileniumi i tretë, gjatë të cilit realizohet vizion i ri i arsimit bashkëkohor, i kulturës, i shkencës dhe i teknologjisë. Në këtë punim, në bazë të studimit diakronik dhe sinkronik të arsimit, të bazuar në literaturën ekzistuese , sidomos në disa punime dhe vepra të autorëve më të shquar shqiptarë dhe botërortë, që përfshihen në bibliografinë shumë të pasur të literaturës, shtrohet çështja e periodizimit të arsimit shqiptar, që konsiderohet si problem studimor mjaft kompleks dhe shumë i rëndësishëm. Kjo sprovë e periodizimit realizohet ngjashëm me periodizimin e historisë së popullit shqiptar, në periudha dhe në faza përkatëse. Periudhat dhe etapat kryesore të këtij periodizimi janë: I.FILLIMET E ARSIMIT SHQIPTAR Arsimi kombëtar gjatë shekujve të kaluar është zhvilluar në kuadër të rrjedhave të qytetërimit shqiptar dhe ka ndikuar fuqishëm në zhvillimin arsimor, kulturor dhe shoqëror. Fillet e veprimtarisë arsimore datojnë që nga koha antike. Format e zhvillimit kulturor dhe arsimor të popullsisë ilire – shqiptare në trojet etnike, pra edhe në Dardani, historikisht kanë qenë të ndryshme dhe mjaft komplekse. Kultura, arti, mjeshtëritë, arsimi, edukata, etj., që nga periudha qytetare, kanë nxitur edhe zhvillimin e mëtejshëm arsimor. Arsimi i hershëm zë fill që nga koha e formimit të shteteve ilire. Gjatë kohës së pushtimit romak është përhapur edhe kultura romake. Në procesin e komunikimit përdorej gjuha latine. Në shekujt e mesjetës së hershme, kur pjesët e Ilirikut kishin popullsi mjaft homogjene autoktone dhe ishin përfshirë në kuadër të Bizantit, kanë pasur shtrirje të dukshme edhe disa forma të sistemeve arsimore pedagogjike greke, bizantine dhe romake. Në kohën e principatave shqiptare dhe gjatë mesjetës janë bërë përpjekje për emancipim arsimor është bërë luftë e vazhdueshme për liri dhe pavarësi, për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare. Në rrethana shumë të vështira të sundimit të huaj arsimi elementar për mësimin e shkrimit dhe të leximit megjthatë ishte shumë i kufizuar. Meqenëse nuk ka pasur shkolla popullore, arsimi është organizuar nga kishat ekzistuese. Në atë mënyrë janë shkolluar atëherë edhe klerikët shqiptarë. Në shkrimet shqipe përdorej alfabeti latin, ai grek, alfabeti arab dhe alfabeti sllav. Në latinisht, që ishte gjuhë e dokumenteve zyrtare, mbaheshin ligjërata edhe në Universitetin e Durrësit. Në gjuhën shqipe janë shkruar dokumentet e para të shqipes, si edhe librat me të cilat është nxitur zhvillimi i arsimit, i edukatës dhe i kulturës shqiptare. Lufta për liri dhe pavarësi gjatë epokës së Skënderbeut, por edhe shumë ngjarje të tjera të mëvonshme, lidhen me përpjekjet për përhapjen e arsimit në gjuhën shqipe. Gjatë shekujve të sundimit osman Perandoria Osmane në vilajetet shqiptare nuk ka lejuar funksionimi e shkollave shqipe, prandaj ka hapur shkollat turke. Pranë xhamive dhe teqeve zhvillohej mësimi në arabisht dhe osmanishte . Në vilajetet shqiptare, pra edhe në atë të Kosovës, nëpër fshatra ishin hapur sibjan mektebe, ndërsa nëpër qytete shkolla fillore shtetërore (iptadije) dhe progjimnaze (ruzhdije), medrese etj. “…mësimi i gjuhës shqipe bëhej fshehurazi në ato pak shkolla të para fetare. II.HAPJA E SHKOLLAVE TË PARA SHQIPE Duke u bazuar në hulumtimet arkivore dhe në studimet e vazhdueshme , të cilat me qëllim të ndriçimit të ngjarjeve dhe të veprimtaritë arsimore të kohës vazhdojnë edhe më tutje, shkollat e para kanë zhvilluar veprimtarinë e vet, në mënyrën si kanë lejuar kushtet e atëhershme. Duke filluar që nga shekulli XVI hapen shkollat e para. Historiku i shkollës shqipe përfshin jnstitucionet e para arsimore, të cilat për shkak të zhvillonin mësimin fshehurazi me numër të vogël të nxënësve. Shkollat e para janë hapur në Stubëll, (1584), në Himarë (1627), Kurbin i Krujës (1632), Vuno e Palasë të Himarës (1632), Korçë (1637), Pllanë (1639), Bilisht (1639), Dhërmi (1660), Janjevë (1665) etj ”. Këtë të fundit e hapi Andrea Bogdani, kryepeshkop i Shkupit. Kuvendi i Arbënit (1703) ka miratuar vendimin që të hapen shkollat shqipe , por edhe të botohen libra në gjuhën shqipe. III. PERIUDHA E RILINDJES KOMBËTARE SHQIPTARE Rilindja Kombëtare Shqiptare është lëvizje politike, kulturore, arsimore, ekonomike dhe shoqërore. Si e tillë synon çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare në shtet unik. Kjo periudhë fillon që nga vitet 30` dhe 40 të shekullit XIX dhe vazhdon deri në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Gjatë epokës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare idetë iluministe dhe kërkesat për arsimin kombëtar janë shfaqur më herët dhe janë publikuar në shtypin dhe në periodikun shqiptar të kohës. Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881) është ngjarja kryesore historike Në Programin e Ri të Lidhjes së Prizrenit (1878), që është miratuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, është përfshirë edhe kërkesa për zhvillimin e arsimit: “Arsimi të përhapet në të gjitha anët e vendit. Nëpër shkolla të mësohet edhe gjuha shqipe”. Pas çeljes së shkollës së parë shqipe të Korçës (1887), filluan veprimtarinë arsimore edhe disa shkolla të tjera për djem dhe vajza, duke u realizuar kështu idetë e rilindësve shqiptarë, por edhe të popullsisë shqiptare në tërësi. Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shek. XX kanë filluar punën edhe shkollat shqipe në disa qytete dhe lokalitete të Shqipërisë. Në Kosovë janë hapur shkollat në: Prizren, Stubëll, Pozharan, Letnicë, Pejë, Gjakovë, Zym, Ferizaj, Vushtri, Zllakuqan, Janjevë, etj. Më 1888 në Prizren është themeluar Mësonjëtorja Kombëtare, ndërsa më 1889 është hapur Shkolla Shqipe e Vashave. Në periudhën 1900-1912 në shkolla janë angazhuar në punë shumë arsimtarë dhe shkrimtarë patriotë. Kontributin e tyre të veçantë e kanë dhënë edhe shoqëritë shqiptare që vepronin në kolonitë shqiptare, në qendra të ndryshme jashtë Shqipërisë. Janë hartuar disa alfabete të gjuhës shqipe, të cilat janë përdorur edhe në veprimtarinë arsimore. Pas miratimit të alfabetit të përbashkët të gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit 1908, alfabetit të Stambollit, është botuar “Alfabetarja e gjuhës shqipe” dhe është themeluar “Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip”, janë botuar tekste shkollore, gazeta dhe revista shqipe. Në vitin 1909 është mbajtur Kongresi Kombëtar i Arsimit në Elbasan.Veprimtaria arsimore kombëtare gjatë epokës së Rilindjes është zhvilluar në bazë të idesë themelore: “Nëpërmjet shkollës e të gjuhës mbillet e zhvillohet fara e lirisë”. IV. ARSIMI SHQIP I PERIUDHËS SË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË Gjatë gjysmë parë të shekullit XX, veçanërisht pas Pavarësisë së Shqipërisë, hapet periudha e rëndësishme e zhvillimit të arsimit kombëtar shqiptar. Në kuadër të kushteve historike, shoqërore, politike, arsimore dhe kulturore, të luftës së vazhdueshme për liri dhe pavarësi kombëtare, për çlirimin e të gjitha viseve shqiptare nga sundimi i huaj, për emancipimin kulturor dhe arsimor të kombit në të gjitha viset shqiptare, por edhe jashtë atdheut, në diasporën shqiptare, janë realizuar synimet e popullit shqiptar për të ndërtuar sistemin arsimor publik. Për të parën herë gjatë historisë së popullit shqiptar, më 1912, në vitin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, u themelua sistemi arsimor shtetëror. Qeveria e Shtetit Shqiptar formoi Ministrinë e Arsimit, ndërsa si ministër të saj emëroi patriotin, shkrimtarin dhe ish drejtorin e Shkollës Normale të Elbasanit, Luigj Gurakuqin. Qeveria e Vlorës “…vendosi arsimimin e detyruar fillor për djem e vajza” dhe vendosi të hapen shumë shkolla shqipe. Gjuha shqipe u bë gjuhë zyrtare dhe gjuhë e mësimit.Shteti Shqiptar realizoi synimin që gjuha e administratës të jetë gjuha shqipe, hartoi ligje arsimore, synoi konsolidimin e sistemit arsimor kombëtar, shkollës i dha frymë kombëtare dhe karakter demokratik. Shtohet angazhimi për përgatitjen profesionale të mësuesve, për botimin e teksteve shkollore, si dhe për shkollimin e nxënësve jashtë vendit. Më 1920 mbahet Kongresi Kombëtar Lushnjes, ndërsa më 1924 organizohet Kongresi Kombëtar i Tiranës në të cilin janë marrë vendime për unifikimin e arsimit. Arsimi shqiptar gjatë viteve të Mbretërisë Shqiptare Ahmet Zogut dhe deri në fillim të Luftës së Dytë Botëror, është zhvilluar me vështirësi të mëdha. Megjithatë në qendrat më mëdha kulturore dhe arsimore: në Shkodër, Korçë, Elbasan, Vlorë ,Berat, Gjirokastrës, përveç arsimit fillor zhvillohet arsimi në lice, në gjimnaze dhe në shkollat profesionale. Botohen teste shkollore dhe literaturë tjetër letrare, shkencore dhe publicistike. Derisa në kuadër të shtetit shqiptar shkollat shqipe punonin me plane dhe programe të rregullta mësimore, në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare të okupuara, që kishin mbetur jashtë Shqipërisë, pushtuesi i kishte mbyllur të gjitha shkollat shqipe, kishte ndaluar botimin dhe përhapjen e shtypit, të periodikut dhe të librit shqip, si edhe përdorimin e gjuhës shqipe në veprimtarinë arsimore. Nxënës shqiptarë shkolloheshin në Shqipëri, apo në vendet tjera.
V.HAPJA E SHKOLLAVE SHQIPE NË KOSOVË GJATË VITEVE TË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE Gjatë Luftës së Dytë Botërore Kosova ishte ndarë në tri zona okupuese. Në ato rrethana të luftës kundër fashizmit, në zonë okupuese italiane, është organizuar arsimi në gjuhën shqipe , ku i ndiqnin mësimet nxënësit shqiptarë. Përveç shkollave fillore, të hapura në Prizren, Gjakovë, Pejë, Gjilan, Mitrovicë, Podujevë, etj., filloi punën edhe Shkolla Normale “Sami Frashëri” në Prishtinë. Në Gjakovë dhe Pejë ishin hapur dy shkolla profesionale. Ministria e Arsimit e Shqipërisë, ministri Ernest Koliqi, për veprimtari të rregullt në këto shkolla të porsahapura në Kosovë, kishte angazhuar 300 arsimtarë nga Shqipëria dhe kishte siguruar tekstet e duhura shkollore.
VI. ZHVILLIMI I ARSIMIT DHE EDUKIMIT 1945-1990 Mbas Luftës së Dytë Botërore arsimi shqip në Shqipëri është zhvilluan në të gjitha nivelet arsimore. Në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare: në Maqedoni dhe në Mal të Zi, arsimi është zhvilluar në kushte mjaft të ndërlikuara. Gjatë fazës së parë (1945 – 1966), në kuadër të sistemit të atëhershëm shoqëror dhe politik komunist, kanë funksionuar institucionet e arsimit fillor, ndërsa në disa qendra kryesore, janë hapur shkollat e mesme, në të cilat shumë lëndë mësimore janë zhvilluar në gjuhën serbokroate. Gjimnazet e ulëta dhe ato të plota kanë përfshirë më shumë nxënës, ndërsa shkollat profesionale numrin më të vogël të nxënësve. Më 1946 është hapur Shkolla Normale në Gjakovë, ndërsa më 1953 Shkolla Normale Shqipe e Prishtinës. Në vitin shkollor 1945/46, në Kosovë, në 202 shkolla fillore, në të gjitha gjuhët mësimore, janë përfshirë 11.573 nxënës, ndërsa më 1966/67 në 313 shkolla fillore 133.907 nxënës. Në Shqipëri në vitin 1957, pas hapjes së shkollave të larta, ka filluar punën Universiteti i Tiranës. Në shkollat e mesme në vitin shkollor 1959/60 janë regjistruar 4.069 nxënës. Si edhe më herët, gjatë viteve pesëdhjetë, kur pushteti i atëhershëm ushtronte politikën diskriminuese ndaj popullsisë shqiptare, në aksionet për shpërnguljen në Turqi të shqiptarëve, në aksionin për mbledhjen e armëve dhe në fushatën antishqiptare arsim, është zbatuar represioni i vazhdueshëm, duke burgosur e maltretuar shumë arsimtarë e nxënës. Në projektligjin për zhvillimin e arsimit të mesëm parashihej edhe heqja e gjuhës shqipe si gjuhë mësimore në shkolla. Për këtë arsye janë organizuar protesta të ndryshme, me qëllim të mbrojtjes së shkollës shqipe dhe të kulturës kombëtare. Gjatë këtyre viteve janë bërë përpjekje të mëdha që të mbrohet dhe të zhvillohet arsimi në gjuhë shqipe. Prandaj, jo vetëm që nuk është lejuar reduktimi i veprimtarisë arsimore, por janë marrë masa të duhura për zgjerimin dhe për hapjen e shkollave të mesme dhe të larta. Kështu, më 1958 është hapur Shkolla e Lartë Pedagogjike në Prishtinë. Më 1960 është hapur fakulteti i parë në Kosovë, Fakulteti Filozofik i Prishtinës, ndërsa më vonë edhe fakultetet e tjera. U bënë disa ndryshime pozitive në jetën politike dhe shoqërore, e sidomos në fushën e arsimit në gjuhën shqipe. Janë shtuar gjithnjë e më shumë kërkesat e popullsisë për afirmimin kombëtar dhe për realizimin e aspiratave në planin politik, shoqëror, ekonomik, arsimor dhe kulturor. Në rrethana mjaft të ndërlikuara, më 1968 në Kosovë janë organizuar demonstratat e shqiptarëve dhe me atë rast janë shtruar shumë kërkesa për realizimin e të drejtave kombëtare dhe politike. Në parullat kryesore veçanërisht spikatin kërkesat: “Duam vetëvendosje”, “Duam Kushtetutë”, “Duam Universitet!”. Gjatë fazës vijuese të zhvillimit të arsimit (1966 – 1980) u shtua numri i shkollave fillore, i shkollave të mesme të profileve të ndryshme dhe ai i shkollave të larta dhe i fakulteteve.Kështu u krijuan kushtet për themelimin e Universitetit të Prishtinës më 15 shkurt 1970. Pas aprovimit të Kushtetutës së vitit 1974 edhe sistemi arsimor i Kosovës në aspektin juridik fitoi autonominë. Ligji mbi shkollimin fillor, Ligji mbi shkollimin e mesëm dhe Ligji mbi shkollimin e lartë të KSA të Kosovës kanë rregulluar çështjet e arsimit në të gjitha nivelet. Marrëveshja e bashkëpunimit të Universitetit të Prishtinës m e Universitetin e Tiranës ndikoi pozitivisht në zhvillimin e arsimit të lartë. Në fazën tjetër të zhvillimit të arsimit dhe të shkollave në gjuhën shqipe (1981 – 1990), në kohën kur kanë ndodhur shumë ngjarje politike dhe shoqërore, në vitin 1981 janë organizuar demonstratat e studentë dhe të rinisë, me të cilët u solidarizuan shtresat e gjera të popullsisë shqiptare. Mohimi i të drejtave politike dhe kombëtare të popullit shqiptar dhe sidomos i të drejtave për qeverisje dhe vetëvendosje, reduktimi i veprimtarisë arsimore, kulturore dhe shkencore, degradimi i pozitës kushtetuese të Kosovës dhe ndryshimet radikale në rregullimin kushtetues, ndikuan në zhvillimin e proceseve politike dhe shoqërore dhe në destabilizimin e gjendjes në tërësi dhe sidomos në veprimtaritë arsimore dhe kulturore.. Në përleshjet e përgjakshme të demonstruesve me policinë u vranë, u plagosën, u burgosën shumë studentë, arsimtarë, nxënës, punëtorë dhe pjesëmarrës të tjerë. Pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, u ndërpre për një kohë edhe veprimtaria arsimore në të gjitha nivelet e arsimit. Në këto rrethana është pezulluar edhe bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës dhe janë ndërprerë të gjitha format e kontakteve dhe të bashkëpunimit në fushën e arsimit me Shqipërinë.Në fund të viteve tetëdhjetë, në rrethana të krizës së thellë në të cilën ishte sjellë arsimi shqip, bëhej rezistencë e vendosur, që me sakrifica të mëdha të zhvillohej veprimtaria arsimore dhe shkencore. VII. PERIUDHA E ZHVILLIMIT TË ARSIMIT 1990- 1999 Periudha e fundit e zhvillimit të arsimit që nga viti 1990- 1999, që është e hapur, mjaft dinamike dhe karakterizohet me shumë ndryshime në aspektin institucional, të miratimit dokumenteve bazë të zhvillimit të arsimit dhe të edukimit, të planeve dhe të programeve mësimore të nivelit arsimor parauniversitar dhe universitar, me reformimin e gjithanshëm arsimor, kulturor dhe shkencor. Në Shqipëri pas rrënimit të sistemit komunist dhe të ideologjisë së tij, pason koha e ndryshime shoqërore dhe politik, ajo e zhvillimeve demokratike të shoqërisë shqiptare. Sistemi i ri hap reformat arsimore dhe fillon të realizohet vizioni i ri i zhvillimit të arsimit shqiptar bashkëkohor Më 1990 nga organet arsimore të Kosovës, në kundërshtim me vendimet e organeve arsimore të Serbisë, janë miratuar planet dhe programet e reja mësimore për arsimin fillor dhe të mesëm. Me zbatimin e tyre në procesin mësimor, është realizuar synimi për pavarësinë e arsimit në gjuhën shqipe. Më 2 korrik të vitit 1990 deputetët shqiptarë të Parlamentit atëhershëm të Kosovës shpallën Kosovën Republikë në kuadër të Jugosllavisë. U themeluan strukturat paralele të arsimit shqip dhe bëhen përpjekje të gjithanshme që arsimi të zhvillojë veprimtarinë e vet në bazë të Kushtetutës së Kosovës të vitit 1974. Më 22 shtator 1991 Kosova u shpall shtet i pavarur. Qeveria e Kosovës atëherë formoi Ministrinë e Arsimit, e cila gjatë viteve 90-të, në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të ligjeve arsimore, drejtonte proceset e zhvillimit të arsimit në mbarë territorin e Kosovës. Pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese (2 Korrik 1990), të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (7 Shtator 1990) dhe organizimit të Referendumit për Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran (shtator 1991) arsimi shqiptar në këto kthesa historike ka zgjedhur rrugën e pavarësisë dhe të lirisë. Më 26 nëntor, në mbledhjen e Kuvendit të Universitetit të Prishtinës, janë marrë vendime të rëndësishme për vazhdimin e veprimtarisë arsimore dhe shkencore. Në 13 fakultete dhe 7 shkolla të larta ka vazhduar mësimi në shumë shtëpi private, që janë liruar për mirëvajtjen e veprimtarisë së Universitetit. Gjatë viteve `90 /të shekullit XX, në kushte shumë të vështira të okupimit dhe të gjenocidit serb, është organizuar rezistenca e të gjitha shtresave shoqërore kundër pushtuesit. Arsimi në gjuhën shqipe edhe në ato kushte, në shtëpitë shkolla, ka kryer misionin e vet të rëndësishëm dhe me dinjitet ka përballuar, aq sa ka qenë e mundshme, vështirësitë dhe sfidat e rrezikshme të zhvillimin të tij. Sistemi i mëvetësishëm arsimor i Kosovës ka mbijetuar dhe ka siguruar vazhdimësinë e proceseve arsimore dhe shkencore. Arsimi shqiptar, si kategori kombëtare, ka ruajtur veçoritë e pozitive dhe duke pasur karakterin e theksuar universal, ka shfaqur prirjen themelore për harmonizimin dhe për integrimin në suaza më të gjera të arsimit kombëtar dhe të arsimit bashkëkohor evropian. Gjatë Luftës Çlirimtare në Kosovë është ndërprerë veprimtaria arsimore në të gjitha institucionet arsimore. Lufta e armatosur e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për liri për çlirimin e Kosovës ka qenë vendimtare për të ndryshuar rrjedhat e historisë. Intervenimi i NATO-s në Kosovë dhe përkrahja e Shqipërisë, e faktorit ndërkombëtar, e vendeve liridashëse, dhe sidomos e SHBA, ka pasur rëndësi të madhe për çlirimin e vendit, por edhe pë zhvillimin shoqëror, ekonomik, arsimor dhe kulturor. VIII.ARSIMI SHQIP PAS ÇLIRIMIT TË KOSOVËS 1999-20 Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare 1999, në bazë të Kornizës Kushtetuese, që është ligj i përkohshëm për vetëqeverisje, arsimi në Kosovë administrohet nga UNMIK-u, që bazohet në Rezolutën 1244. Ajo është ratifikuar më 2001. Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes, pra edhe ato të arsimit, kishin kompetenca të rezervuara ndaj përfaqësuesit special të Sekretarit Gjeneral të Kombeve të Bashkuara. Reformat në arsim gjatë kësaj faze zhvillohen pas hartimit të dokumentit bazë të sistemit arsimor. Në vitin 2001 Departamenti i Arsimit dhe i Shkencës i Kosovës hartoi “Kornizën e Kurrikulit të Ri të Kosovës (arsimi parashkollor, fillor, i mesëm dhe i mesëm i lartë), libri i bardhë për diskutim, Prishtinë 2001. Për zhvillimin e gjithanshëm të arsimit janë miratuar ligjet për arsimin fillor, të mesëm dhe për arsimin e lartë. Janë miratuar planet dhe programet e veprimtarisë arsimore dhe janë botuar tekstet e duhura shkollore dhe universitare. Sistemi arsimor, në krahasim me fazat e mëparshme është zgjeruar dhe është konsoliduar, është përmirësuar baza materiale, infrastruktura dhe teknologjia arsimore. Reformat arsimore kanë përfshirë të gjitha nivelet e arsimit dhe edukimit. Në arsimin e lartë publik dhe privat universitar, përveç transformimve të bazuara në Deklaratën dhe në procesin e Bolonjës, janë hapur procese të reja të zhvillimit arsimor dhe shkencor. Në këtë fazë është shtuar dukshëm numri i fëmijëve në institucionet parashkollore, numri i nxënësve në arsimin parauniversitar, si edhe numri i studentëve në arsimin e lartë publik dhe privat. Reforma arsimore në arsimin parauniversitar dhe në arsimin e lartë ka ndikuar në zhvillimin e institucioneve arsimore, në përgatitjen e kuadrit profesional, mësimor dhe shkencor dhe në përmirësimin e cilësisë në tërësi. Duke u bazuar në strategjinë e zhvillimit të arsimit dhe shkencës, në vitin 2011 MASHT, miratoi dokumentin bazë të veprimtarisë arsimore edukative “Kornizën e Kurrikulës e Arsimit Parauniversitar të Republikës së Kosovës”. Me qëllim të përmirësimit të niveli të përgjithshëm të edukimit artistik dhe kulturor, janë bërë reforma të sistemit arsimor dhe të zhvillimit kulturor në botën shqiptare dhe në shumë vende të botës. Në vitin 2011 është miratuar Korniza e Kurrikulës e Arsimit Parauniversitar të Republikës së Kosovës. Më 2014 në Shqipëri është përgatitur Draft Korniza Kurrikulare e arsimit parauniversitar të Republikës së Shqipërisë. Për edukimin gjuhësor dhe kulturor është përfshirë teksti: “…nxënësit shprehin dhe interpretojnë koncepte, ide, ndjenja, fakte e opinione me gojë e me shkrim; zhvillojnë aftësitë për të lexuar, shkruar, folur dhe dëgjuar në mënyrë kreative dhe të qëllimshme; dallojnë dhe përdorin tekste të ndryshme letrare dhe jo letrare, tekste të shtypura dhe elektronike; gjejnë, krahasojnë informacione të ndryshme; zotërojnë e vlerësojnë informacione të ndryshme; zotërojnë njohuritë, shkathtësitë dhe qëndrimet e duhura rreth sistemit gjuhësor, e përdorin gjuhën në mënyrë pozitive dhe të përgjegjshme në marrëdhëniet shoqërore; kuptojnë, analizojnë dhe vlerësojnë tekste të gjinive dhe llojeve të ndryshme letrare, nga krijimtaria e autorëve që janë përfaqësues të periudhave të ndryshme nga letërsia shqipe dhe ajo botërore…(Citim nga faqja 35-36). Fusha e arteve është pjesë e rëndësishme e kurrikulës, sepse studimi i tyre lidhet ngushtë me zhvillimin intelektual, emocional dhe social, kulturor të nxënësve…” (faqe 39). Paraqitja e suksesit të arritur në arsim, në shkencat e ndryshme, në edukimin artistik dhe kulturor të nxënësve dhe të studentëve të botës në kuadër të programit Program for International Student Assessment (PISA), tregon ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në rrjedhat e përgjithshme të zhvillimit arsimor, kulturor dhe shkencor të rinisë shkollore në të gjitha vendet e anëtarësuara në këtë asociacion ndërkombëtar të rëndësishëm për zhvillimin arsimor, të kulturor dhe shkencor. Gjatë kësaj periudhe të zhvillimit dinamik dhe të gjithanshëm të arsimit dhe të shkollës shqipe në tërësi është shtruar edhe kërkesa e unifikimit të sistemit arsimor parauniversitar të Shqipërisë dhe të Kosovës. Ministria e Arsimit dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë e Republikës së Kosovës aktualisht kanë pranuar synimin e përbashkët të unifikimit të sistemit arsimor parauniversitar dhe të harmonizimit të kornizave kurrikulare të arsimit parauniversitar. Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe të shkencës është nënshkruar në Tiranë më 8 mars 2010. Për të zbatuar marrëveshjen është shpallë kërkesa për tekstet shkollore “1. Abetare e përbashkët për klasën e parë dhe 2. Abetare- pune , që do të përdoren në vitin shkollor 2012-2013 në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës. Më 3 qershor 2014 është nënshkruar marrëveshja nga përfaqësuesit më të lartë të ministrive të arsimit të Kosovës dhe të Shqipërisë për unifikimin e sistemit arsimor parauniversitar dhe të programeve mësimore. Për studimin e çështjeve dhe temave të rëndësishme të zhvillimit të arsimit kombëtar shqiptar, prandaj edhe për çëshjte të periodizimit, janë angazhuar shumë autorë, të cilët kanë botuar monografi, vepra pedagogjike, tekste shkollore dhe universitare, studime, artikuj dhe tekste enciklopedike në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja. Studimi profesional shkencor, diskutimi lidhur me çështjet dhe problemet aktuale të arsimit dhe edukimit në tërësi, kërkimi dhe ofrimi i zgjidhjeve më të favorshme dhe adekuate, të gjitha këto së bashku, janë në funksion të zhvillimit të sotëm dhe të atij perspektiv të shkollës shqipe, të arsimit dhe edukimit bashkëkohor.